Ministri Hoxhaj viziton Jordaninë
Pas vizitave në Gjermani dhe në Bosnje e Hercegovinë, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Jordanisë, me ftesë të homologut jordanez, Naser Judeh.
Gjatë vizitës në Aman, Hoxhaj do të zhvillojë takime me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jordanisë, me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti, si dhe me përfaqësues diplomatikë të vendeve të tjera të akredituar në Jordani.
Siç njofton Zyra për informim MPJ-së, vizita zyrtare e ministrit Hoxhaj në Jordani, pritet të ketë efekte të rëndësishme në forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, si dhe në forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të këtij shteti në proceset politike dhe diplomatike në botën arabe dhe më gjerë.