Serbët protestojnë sërish
Rreth 150 banorë serbë të Zubin Potokut, të mërkurën nga ora 8.00 deri në ora 10.00, kanë bllokuar hyrjen e stacionit policor dhe rrugët kryesore të qytetit të Zubin Potokut, duke kundërshtuar kështu rotacionin e paralajmëruar të komandantëve policorë në veri.
Shefi i operativës rajonale në Mitrovicë, Nysret Mehmeti ka thënë se protesta ka zgjatur dy orë, protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe nuk është evidentuar ndonjë incident, ndërkohë që të gjitha rrugët tani janë të kalueshme.
“Qytetarët e komunës së Zubin Potokut në këtë mënyrë janë duke respektuar vendimin e Kuvendit Komunal dhe të kuvendarëve të cilët kanë konkluduar se pa marrëveshje paraprake me vetëqeverisjen lokale, nuk mund të aplikohet asnjë lloj i rotacionit të komandantëve policorë”, ka thënë kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, transmeton KosovaPress.