Ballafaqohen të hënën
Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka qenë i gatshëm që brenda kësaj jave të ballafaqohet me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në interpelancën që këta të fundit e kanë kërkuar për të për autostradën “Ibrahim Rugova”.
Kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që ta shtyjnë interpelancën për të për javën e ardhshme.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi u ka treguar të martën nënkryetarëve dhe shefave të grupeve parlamentare në Kuvend se Kryeministri Hashim Thaçi e kishte njoftuar atë se për shkak të agjendës së ngjeshur, kësaj jave, nuk do të ketë mundësi të paraqitet në interpelancë.
Kryesia e Kuvendit e ka marrë parasysh kërkesën e kryeministrit që të shtyhet interpelanca dhe ka vendosur që kjo seancë të mbahet të hënën e javës së ardhshme.
Kështu ka bërë të ditur kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se një seancë plenare do të mbahet këtë të enjte dhe pritet të jenë disa ligje në lexim të parë dhe një projektligj në lexim të dytë.
“Morëm vendim që të enjten, më 16 qershor, të kemi seancën e miratimit të ligjeve edhe në lexim të parë. Kemi edhe një ligj në lexim të dytë, por nëse vijnë disa raporte nga disa komisione, sidomos ai për Legjislacion dhe për buxhet, mund të kemi edhe ligje të tjera në lexim të dytë. Sa i përket interpelancës, kryeministri ka kërkuar që të shtyhet interpelanca dhe Kryesia mori vendim që interpelanca të mbahet të hënën në orën 10.00”, ka thënë Krasniqi.
Interpelanca për Kryeministrin Thaçi, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ka të bëjë me autostradën Vërmicë-Merdar, për të cilën deputetët e Vetëvendosjes kanë fajësuar Qeverinë për mungesë transparence dhe kosto të lartë të ndërtimit.
Në seancën e së enjtes, në rend dite mes tjerash do të jetë edhe Projektligji për personat e zhdukur, Projektligji për ndihmën shtetërore dhe Projektligji për nismat legjislative.
Në seancën e së enjtes, do të shqyrtohet edhe Propozimi për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Propozim-korniza Afatmesme e Shpenzimeve për vitin 2012-2014, Raporti vjetor i punës të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2010, Raporti vjetor i punës i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për vitin 2010, Rekomandimet e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim hapësinor, për Projektplanin hapësinor të Kosovës 2011-2020, si dhe rekomandimi i të njëjtit komision për emërimin e një anëtari të Komisionit shqyrtues në Zyrën e Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina.