E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Hyseni lobon për njohjen e Kosovës

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni, është takuar me një numër përfaqësuesish të përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara, nga të cilat ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai gjatë një takimi me përfaqësuesin e përhershëm të Kuvajtit në Kombet e Bashkuara, Mansour Al-Ataibi, ka ripërsëritur kërkesën e tij për njohjen e shtetit të Kosovës nga Kuvajti. Gjithashtu, ministri Hyseni ka folur edhe për rëndësinë që kjo njohje ka për shtetin e Kosovës dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj, si dhe për mundësinë e shkëmbimit të vizitave zyrtare me këtë vend.

Nga ana e tij, ambasadori i Kuvajtit e ka siguruar ministrin Hyseni se do t’ia përcjellë kërkesën kryeqendrës së tij, duke shprehur simpatinë për kauzën e Kosovës.

Në takim me përfaqësuesin e përhershëm të Kenisë në Kombet e Bashkuara, Zachary D. Muburi Muita, ministri Hyseni ka folur për përparimin që Kosova ka arritur që nga shpallja e pavarësisë së saj, por edhe për rrugën nëpër të cilën ka kaluar deri në shpalljen e pavarësisë, si dhe në përgjithësi për procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Të dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe për mundësinë e një vizite të ministrit Hyseni në Najrobi.

Ministri Hyseni ka ripërsëritur kërkesën e tij për njohje edhe në takimet që ka zhvilluar me përfaqësuesit e përhershëm në Kombet e Bashkuara të El Salvadorit, Carmen Maria Gallardo Hernand dhe të Libanit, Nawaf Salam, dhe ka marrë sigurime se kërkesa do të përcillet tek autoritetet më të larta të këtyre vendeve.

Hyseni është takuar edhe me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Mark Lyall Grant, me të cilit ka biseduar për zhvillimet më të fundit dhe rreth Kosovës, me theks të veçantë për procesin e njohjeve dhe për bashkërendimin e veprimeve në periudhën pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›