E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: PS, me një ‘kauzë’ të vetme, të destabilizojë vendin

Opozita s’shkëputet nga bojkoti, vetëm 15 minuta në seancë


UPDATE- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, u shpreh në seancë plenare gjatë diskutimit të lirë se opozita e drejtuar nga Edi Rama, është opozita më hipokrite në botë. Në vijim të fjalës së tij, Meta hodhi një seri akuzash të ashpra ndaj pakicës, e cila vetëm pak minuta më parë kishte dalë nga salla. Shefi i diplomacisë shqiptare, vërejti se kemi të bëjmë me një opozitë që punon kundër interesave të vendit, madje për më tepër po tenton destabilizimin politik dhe njëherazi edhe atë ekonomik. Sipas tij, qëllimi i vërtetë i PS nuk është transparenca e zgjedhjeve, por destabilizimi dhe futja e vendit në një krizë të thellë. “Këta nuk duan transparencën e zgjedhjeve, po destabilizimin dhe turpërimin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve. Shqipëria ndodhet në momentet e saj më të mira në kuadër të proceseve të integrimit. Vetëm pas pak muajsh shtetasit shqiptarë do të lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen”, vetëm pak muaj më pas Shqipëria do të marrë statusin kandidat për në BE. Opozita nuk i uron këto, sepse nuk është synimi i tyre. Opozita e sotme, është opozita më hipokrite në botë. Ata (opozitarët) nuk duan zgjidhjen, por vijnë në parlament për të shpëtuar mandatin e 30 biznesmenëve që kanë në grupin parlamentar", u shpreh zv/kryeministri Ilir Meta. Ndër të tjera zv/kryeministri u shpreh se mazhoranca ka plotësuar të gjitha kërkesat legjitime të opozitës, përmes të cilave mund të realizohet plotësisht transparenca e zgjedhjeve. “Opozitës ju deshën 6 muaj që të kuptonin se duhet të vinin në Parlament, të paraqisnin disa nisma. Mazhorancën e kanë, komisioni është krijuar, të vinë kur të duan. Duan kryetarin e kanë, duan të hetojnë për financime të dyshimta, të hetojnë, duan të hetojnë për kutitë, le ti drejtohen Kushtetueses dhe Komisionit të Venecias”, tha më tej, Meta. Më herët, ndërsa deputetët socialistë braktisnin sallën e seancave, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha se opozita ka të drejtën e saj të ndërmarrë nisma ligjore, por gjithashtu ka edhe të drejtën të respektojë vendimet e Kuvendit. Duke iu referuar komisionit parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, Patozi tha se binomi i kërkuar me forcë nga partnerët ndërkombëtarë është respekti për Kushtetutën dhe transparenca. “Komisionin Hetimor e kërkoi opozita vetë. Gjithçka ka ndodhur në dritën e diellit dhe në transparencë të plotë, opozita të gjejë kurajo dhe t’i drejtohet Komisionit Hetimor”, tha Patozi.


Opozita s’shkëputet nga bojkoti, vetëm 15 minuta në seancë/ Kuvendi i Shqipërisë po vazhdon punimet e seancës së radhës plenare, pa praninë e opozitës, e cila u mjaftua me vetëm 15 minuta prezencë. Grupi parlamentar socialist vendosi në mesditë pjesëmarrjen e pjesshme në Kuvend, për të përcjellë kështu shashkën e radhës të klikës destabilizuese të Ramës, përmes xhaketave të vjetra si Gramoz Ruçi dhe Namikl Dokle. Shorti këtë radhë i kaloi Dokles dhe mesoburrit Erjon Braçe. Të dy këta, thjesht e rëndomtë thanë as më shumë e as më pak, se ç’kanë thënë bashkë me Edvinin këto 7 muaj me radhë. Dokle foli për minuta me radhë për të ashtuquajturën “transparencë” por mohoi praninë e opozitës në Komisionin Hetimor, duke e kushtëzuar këtë me kërkesat antiligjore, të cilat mirëfillti dhe kryekëput bien ndesh me Kushtetutën. I besuari i Edvinit nuk justifikoi dot para shqiptarëve se pse opozita nuk kërkon të ndjekë asnjë nga rrugët e pranuara nga mazhoranca dhe të respektuara nga ligjet në fuqi, por përkundrazi vazhdon të fshihet pas “axhendës” së bojkotit, duke vënë kështu në plan të parë interesat personale të Edvinit dhe ndjekësve të tij androgjenë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›