Imami: Kosova të jetë pjesë e NATO-s
Një ditë pasi presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dha mesazhin me rastin e 11-vjetorit të fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, për shpëtimin e popullsisë kosovare nga spastrimi etnik, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Arben Imami deklaron se Kosova duhet të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, u dha gjatë Konferencës, mbi konceptin e ri strategjik të NATO-s, e cila u mbajt në sallën “Gjeneral Enriko Telini” të Auditoriumit të përuruar pak ditë më parë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua konferenca “NATO, Koncepti i Ri Strategjik dhe Shqipëria”. Në këtë veprimtari mori pjesë ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, zv.ministrat e Mbrojtjes Arjan Starova dhe Zana Xhuka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues nga Ministria e Jashtme, profesorë dhe pedagogë nga bota akademike, përfaqësues nga shoqëria civile, studentë të akademive ushtarake etj. Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Sandër Lleshi, ministri i Mbrojtjes Arben Imami mbajti kumtesën me temë: “Mbi Konceptin e Ri Strategjik të NATO-s”, ku shtroi si domosdoshmëri rishikimin e strategjisë ekzistuese, pasi bota tashmë po shkon drejt globalizimit, gjë që sjell natyrshëm edhe globalizimin e sigurisë. Sot NATO, u shprehu Ministri Imami, përballet me sfida të mëdha, shumë prej të cilave kërkojnë një angazhim që shkon përtej përgjigjes se thjeshtë ushtarake në kuptimin klasik. Nevojave të sigurisë, NATO do të duhet t’u adresohet në një spektër shumë më të gjerë politik, ekonomik, shtetndërtues, rindërtues, trajnues etj. Më tej, Ministri Imami shprehu disa mendime lidhur me Konceptin e Ri Strategjik të Aleancës, duke u ndalur vecanërisht tek roli dhe misioni i saj në “arkitekturën e re” të sigurisë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai foli për raportet mes NATO-s dhe BE-së, si struktura bashkëpunuese dhe jo konkurruese në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë. Sipas Tij, ato duhet të koordinojnë përpjekjet në zhvillimin e kapaciteteve duke evituar dublikimet, për të siguruar efektivitet operacional më të lartë. Përsa i përket parteneritetit, Ministri i Mbrojtjes u shpreh se Aleanca është e angazhuar dhe pritet të angazhohet në operacione në largësi strategjike globale. Kjo kërkon që NATO të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me demokracitë përtej bashkësisë Euro-Atlantike, me partnerë dhe vende me të cilat Aleanca ndan vlera të përbashkëta si Australia, Japonia, Zelanda e Re, etj. Vend të veçantë në kumtesë zuri edhe trajtimi i raporteve të NATO-s me Rusinë, për politikën e dyerve të hapura, për pranimin në Aleancë edhe të vendeve të tjera, duke përfshire edhe Kosovën. Pavarësisht se Koncepti i Ri Strategjik është në proces diskutimi e miratimi, nënvizoi në fund të fjalës së tij Ministri Imami, sfidat për përballimin e rreziqeve dhe kërcënimeve janë të përhershme. Prandaj nga ne kërkohet: sigurimi i kapaciteteve të reja për realizimin e një mbrojtje efektive kundër terrorizmit dhe sulmeve në rrjetet e internetit; transformim në mënyrën e planifikimit, organizimit dhe kryerjes të operacioneve; duhet të reformojmë strukturat dhe organizimin tonë, për të ardhmen na duhet një Forcë e Armatosur më operacionale, struktura të sigurisë më efektive dhe më pak burokratike, me burime financiare e njerëzore të adresuara me prioritete. Përpjekja jonë duhet të jetë për të minimizuar burokracinë dhe për t’i alokuar fondet në interes të rritjes të kapaciteteve operacionale. Ruajtja në vijimësi e mbështetjes së mbrojtjes me 2% të GDP është njëherësh inkurajim dhe detyrim për të gjitha strukturat e mbrojtjes për ta përdorur atë me efikasitetin maksimal në interes të forcimit të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Në planifikimin e mbrojtjes duhet të mbahet në konsideratë balancimi i nivelit të ambicjeve me burimet në dispozicion. Qëllimi i kësaj konference është sensibilizimi i opinionit shqiptar dhe veçanërisht atij akademik e ushtarak për NATO-n, proceset që kryen kjo Aleancë, si dhe për kontributin e Shqipërisë në këto procese. Diskutimi mbi Konceptin e Ri Strategjik të NATO-s është domosdoshmëri dhe nevojë pas transformimeve të thella që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit, siç është zgjerimi i NATO-s, kërcënimet e reja në fushën e sigurisë dhe lufta kundër terrorizmit. Pikërisht këtu u fokusuan punimet e kësaj konference. Më konkretisht gjatë konferencës u trajtuan çështje të rëndësishme si: perspektiva shqiptare mbi mjedisin e sigurisë globale, rajonale dhe kombëtare, në dekadën e dytë të shekullit XXI; qëndrimi shqiptar mbi zhvillimet e Artikullit 5 të Traktatit të ëashingtonit mbi mbrojtjen kolektive të Aleancës; qëndrimi i Shqipërisë mbi përmirësimin e sistemit aktual të planifikimit të mbrojtjes kolektive të Aleancës; transformimi i Aleancës, buxhetimi, proceset vendimmarrëse dhe pozicioni i Shqipërisë; qëndrimi mbi mbrojtjen e hapësirës ajrore të NATO-s në tërësi, si dhe i hapësirës tonë ajrore në veçanti, në situatat e Artikullit 5, si dhe në rastet renegate; qëndrimi i Shqipërisë për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s etj. Në përfundim të punimeve Konferenca do të dalë me një non-paper, e cila do të përmbajë disa propozime që mund t’u shërbejnë aktorëve politikë dhe ushtarakë në formulimin e qëndrimve të Shqipërisë, në lidhje me çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes.
...