Ministri Imami ne Konferencen Ligjore te NATO-s
Shqipëria inkurajon përfshirjen e Kosovës në iniciativat rajonale dhe përcaktimin e një axhende për anëtarësimin e saj në të ardhmen në NATO. Deklarata është bërë nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami në Konferencën e 6-të ligjore të NATO-s, e cila po zhvillohet në Tiranë.
Ministri theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv, në përballimin e sfidave të përbashkëta, në funksion të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.
“Aplikimi i Shqipërisë në vitin 1994 për t’u anëtarësuar në NATO, si vendi i parë që doli nga blloku komunist, nuk është rastësor. Mbështetja unanime ndaj procesit të integrimit të vendit në NATO, si nga elita politike e vendit, po ashtu edhe nga shoqëria shqiptare në tërësi, është tregues se ky vend ndan të njëjtat vlera bazike civilizuese mbi të cilat është ndërtuar kjo Aleancë. Padyshim se që nga aplikimi në vitin 1994 deri në anëtarësim në vitin 2009 janë dashur 15 vite përpjekje e punë e madhe për të reformuar sistemin në tërësinë e tij, duke bërë reforma të thella politike, kushtetuese, strukturore e ligjore”, u shpreh Imami.
Në këtë konferencë marrin pjesë rreth 150 përfaqësues nga komuniteti ligjor i NATO-s, i cili përbëhet nga drejtues të ministrive të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe këshilltarët ligjor të NATO-s.
Diskutimet në konferencë fokusohen në fusha të tilla si: bashkëpunimi me NATO-n, politikat e përgjithshme dhe realitetet praktike; nga partner i NATO-s në anëtar i NATO-s, ndryshimet dhe sfidat; shpërndarja e informacioneve dhe bashkëpunimi; bashkëpunimi i NATO-s me partnerët global; bashkëpunimi kundër terrorizmit; bashkëpunimi përpara dhe pas operacioneve; bashkëpunimi i Aleancës me Organizatën e të Drejtave të Njeriut.