E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Krasniqi ndau dhurata për fëmijët e Sos Fshatit në Prishtinë

Në prag të festave të fundvitit, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka ndarë sot dhurata për 74 fëmijët e Sos Fshatit në Prishtinë, të moshave të ndryshme.

Dhuratat kanë qenë kryesisht me rekuizita sportive si fanella, topa për sporte të ndryshme, lodra, fletore, etj.

Ministri Krasniqi duke i uruar fëmijëve festat e fundvitit, iu ka premtuar se ai do të jetë gjithmonë në gatishmëri që të ndihmojë ata në zhvillimin e tyre, qoftë në pasionet për sport, art apo edhe fusha të tjera.

Ai ka përgëzuar gjithë stafin e SOS Fshatrave për punën e palodhshme që kanë bërë tash e disa vjet në përkujdesjen e fëmijëve. Ministri tha se mbështetja për këtë institucion nga ana e MKRS-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Unë dëshiroja që edhe sot të ndaja disa momente më fëmijët por dhe me udhëheqësit e SOS Fshatrave të cilët kanë bërë një punë të palodhshme për shumë vjet duke ju dhënë këtyre fëmijëve edukatë të lartë dhe shumë dashuri. Dhe po ashtu unë doja të konfirmoja gatishmërinë e MKRS-së që të ndihmojnë SOS Fshatrat”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se është një obligim i gjithë shoqërisë që të përkujdeset për këta fëmijë, dhe ka thënë se institucionet do të jenë në përgjithësi më të angazhuara në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, drejtoresha e SOS Fshatrave, Nizahat Salihu teksa ka falënderuar ministrin për mbështetjen që i ka dhënë SOS Fshatrave, ka thënë se përkushtimi i tyre për këta fëmijë është maksimal. Ajo ka shfaqur shpresën se në të ardhmen përkrahja institucionale do të rritet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›