E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Nuk tërhiqemi!”

Kryeministri Berisha deklaroi dje se po zbatohen me rigorozitet ligjet e vendit dhe po shqyrtohen të gjitha pasojat e mafies në Federatën Shqiptare të Futbollit. “Kjo qeveri qëndron plotësisht në mbështetje të sportit, por sportin i cili zhvillohet sipas rregullave dhe ligjeve transparente jo atë të shitjes së ndeshjeve dhe të tradhtisë së hapur ndaj mijëra e mijëra fansave dhe tifozëve. Kjo është e patolerueshme”, - u shpreh kryeministri Berisha. Më tej kryeministri theksoi se do të bëhet çdo gjë transparente para qytetarëve shqiptarë duke nënvizuar se Duka e shndërroi Federatën e Futbollit në çifligun e Klanit të Zemunit.
“Ne do ta bëjmë çdo gjë transparente para qytetarëve shqiptarë por situata është që Duka e shndërroi Federatën në çifligun e klanit të Zemunit. Do përfundojnë të gjitha inspektimet, kontrollet me ligj dhe do bëhen publike për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët. Kjo është e vërteta, por natyrisht gjithçka do bazohet mbi fakte konkrete. Ato që kanë ndodhur më parë me disa ndeshje të kombëtares nuk mund të përsëriten më, po e përsëris nuk mund të përsëriten më. Nuk mund të jetë futbolli shqiptar çiflig i Klanit të Zemunit”, - nënvizoi më tej kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se Shqipëria do të luajë dhe do të shkëlqejë, por ata që kanë shitur ndeshjet dhe janë marrë me afera mafioze duke shfrytëzuar futbollin shqiptar nuk do të lejohen që të pengojnë Shqipërinë.

Rama: “Gjithçka është krijuar artificialisht”

“Berisha është bërë si Haxhi Qamili, i cili thoshte se sa ta kem mirë më Sharrën e Ndroqin, nuk pyes për Parisin e Londrën”.

Për të dhënë kontributin e tij në zgjidhjen e konfliktit katërpalësh MTKRS-FSHF-FIFA-UEFA, u përfshi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
“Është një lajm i keq që të përjashtohemi (nga FIFA) për shkak të një politike të vjetër të kryeministrit Berisha. Për të dytën herë brenda 17 viteve Shqipëria pezullohet nga FIFA”, - tha Rama, që në rininë e tij është marrë me basketboll.
“Qeveria shqiptare nën hyqmin e Sali Berishës bën një figurë të shëmtuar në sytë e një organizate të madhe ndërkombëtare”, - theksoi kreu socialist Rama. FIFA numëron rreth 205 anëtarë të saj. Kjo është një shfaqje e një kulture primitive të raporteve me ndërkombëtarët”.
Rama kërkoi dorëheqjen e ministrit të Sporteve, Ylli Pango. “Kur të grithë prisnim një reflektim të kryeministrit Berisha për shkarkimin e ministrit të Sportit, ai bën të kundërtën, duke thënë se do të zbatohen ligjet e vendit”.
Kryesocialisti lëshoi edhe një batutë: “Ai (Berisha) është bërë si Haxhi Qamili, i cili thoshte se sa ta kem mirë më Sharrën e Ndroqin (dy fshatra të Tiranës) nuk pyes për Parisin e Londrën”.
Kryetari i Bashkisë shtoi se është momenti për t’u reflektuar për dëmet e mëdha që ka sjellë politika e vjetër. “Gjithçka është krijuar në mënyrë artificiale nga kryeministri Sali Berisha, ministrat e tij të papërgjegjshëm, nga mënyra e tyre të parit të botës”, - theksoi Rama, që rikujtoi edhe përjashtimin e parë të Shqipërisë.
“Besoj se ashtu si në vitin 1996, kur dështuan për të vënë në thundër futbollin, kur presidenti Berisha i bën dëm futbollit dhe u tërhoqën më pas, po kështu do të tërhiqen mbrapsht edhe kësaj radhe”.
Së fundi edhe një thirrje: “Është koha të tërhiqen sa më parë, pasi nuk mund të privohen shqiptarët nga përfaqësimi i Shqipërisë nga arena ndërkombëtare të ekipit kombëtar apo dhe skuadrave të tjera. Nuk duhen bërë akuza pa prova për të vënë Shqipërinë në këtë situatë qesharake”.
Të premten në mbrëmje edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri një deklarim të ashpër: “Ne kërkojmë të futemi në NATO, ndërsa këta (qeveria shqiptare dhe Ministria e Sporteve) na heqin nga FIFA”, ku kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit Pango.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›