E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Prifti: Klik Ekspo Klik, ambasadori i Shqipërisë për thithjen e investimeve të huaja



TIRANË – Klik Ekspo Klik po bëhet një ambasador dinjitoz i Shqipërisë për ofrimin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar. Ky ka qenë vlerësimi që dha dje ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti në vizitën që i bëri dje Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Prifti ka vizituar stendat e biznesve që prezantonin produktet dhe shërbimet e tyre nën shoqërinë e presidentit të shoqërisë Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj. I pyetur nga media mbi ndjesinë që i krijon ky Panair, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti tha se, “kam ardhur për të vizituar një nga panairet më të mëdha që zhvillohet ndonjëherë në Shqipëri nga shoqëria Klik Ekspo Group. Është një panair ku janë rreth 800 kompani që ekspozojnë produktet e tyre.
Klik, ambasador i investimeve
“Dua të falënderoj zotin Luan Muhametaj dhe “Klik Ekspo Group” për këtë punë të shkëlqyer që bën për të promovuar Shqipërinë. Është një ambasador i vërtetë për të tërhequr investitorët e huaj në Shqipëri, për të rritur shkëmbimet tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera”, - tha ministri i Ekonomisë. Ai u shpreh se Klik është një partner shumë i mirë me qeverinë në misionin për të ndihmuar bizneset dhe forcuar lidhjet ekonomike me vendet rreth nesh”, - tha zoti Prifti. Sipas tij, “kjo është një ditë e shënuar”. “Dua të uroj të gjitha bizneset dhe kompanitë që marrin pjesë në panair që të kenë suksese të tjera”, - iu drejtua Prifit sipërmarrësve të pranishëm në këtë panair. “Qeveria me shoqërinë Klik Ekspo Group ka projekte të tjera. Do të punojmë për të bërë një qendër të re panairesh në Shqipëri, sepse ju e dini që Pallati i Kongreseve nuk e ka këtë funksion”, - deklaroi ministri. Ai theksoi se “me ndihmën e qeverisë, bizneseve, partnerëve të huaj dhe shoqatave të biznesit do të ndërtojmë një qendër tërësisht të re panairesh për Shqipërinë”.
Nxitja e biznesit
Dy ditë më parë, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në përshëndetjen e tij drejtuar Forumit të Tretë Ekonomik, ndër të tjera, tha ky panairi është organizuar nga Klik Ekspo Group me një cilësi shumë të lartë dhe ambient të ngrohtë për biznesin. Ministri Prifti deklaroi se, “biznesi grek në Shqipëri konsiderohet nga qeveria shqiptare si shumë i rëndësishëm. Aktualisht, biznesi grek përfaqëson 50 % të investimeve të huaja në Shqipëri. Biznesi grek operon në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare në telefoni, sektorin bankar, burimet e energjisë, industri etj. Pavarësisht ndikimit të krizës, volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka njohur zhvillime të mëdha. Të njëjtin impenjim e ndikim në ekonominë e Shqipërisë ka edhe ndihma e shtetit grek.
Ministri Prifti bëri një panoramë të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare para investitorëve grekë në Forumin e Tretë të Biznesit për përmirësimin e klimës së biznesit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës theksoi uljen e vazhdueshme të taksave ndaj biznesit, duke i konsideruar më të ultat në Evropë. “Uja e taksave do të vazhdojë nga qeveria shqiptare, pavarësisht kostos që ka në buxhet. Vitin e ardhshëm, tha Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, qeveria ka planifikuar të heqë TVSH-në për shërbimet shëndetësore dhe arsimin. Vitin e ardhshëm në shërbim të përmirësimit të klimës së biznesit do të ngrihet Qendra ose sporteli i vetëm për marrjen e licencave për investimet në energjetikë. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një sportel i vetëm për licencat në sektorin minerar”.

Mithra Pharmaceutical firmos marrëveshjen për të investuar në Shqipëri

Një prej kompanive më të njohura në fushën e farmaceutikës në Europë dhe botë po prezanton produktet e saj në Edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar në Tiranë. “Mithra Pharmaceutical”, kompani që kujdeset për shëndetin e femrave prezantoi një sërë produktesh, që janë më inovative dhe me standardet më të fundit në fushën e mjekësisë.
Në Pavijonin belg, kompania “Mithra Pharmaceutical”, ka firmosur një marrëveshje të rëndësishme për treguan farmaceutik në Shqipëri. Drejtues të “Mithra Pharmaceutica”, nënshkruan me Redi Mazin, përfaqësues shqiptar i kësaj kompanie marrëveshjen për prezencën e kompanisë në Shqipëri. Së bashku me François Fornieri, themeluesin e kompanisë, Eric Poskin, drejtor ekzekutiv, Redi Mazi ka sigluar marrëveshjen e bashkëpunimit. Projektet e kompanisë “Mithra Pharmaceutical” për Shqipërinë do të zhvillohen brenda pak muajsh. Redi Mazi tha se “brenda një viti kompania do të krijojë terrenin e përshtatshëm për produktet më të fundit të mjekësisë, produkte që u shërbejnë femrave. “Më pas, në do të zhvillojmë Mithra Balkans në Tiranë, ç’ka do të thotë shtrirje të kompanisë dhe markës në gjithë rajonin”, - tha partneri shqiptar i kompanisë belge. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, themeluesi i “Mithra Pharmaceutical”, François Fornieri tha se ishte ftesa e Klik Ekspo Group, si dhe mundësia për kontakte të shumta në panair që sollën “Mithra Pharmaceutical” në Shqipëri. “E vlerësoj shumë tregun shqiptar. Ne sjellim produkte vetëm për femra. Me sa kemi parë, mungojnë këtu. Veç kësaj, ne sjellim cilësinë dhe shpresojmë të ndikojmë pozitivisht në shëndetin e femrave në vendin tuaj”, - u shpreh kreu i kompanisë belge, e cila njihet në tregun ndërkombëtar për cilësinë e produkteve të saj.
Kompania “Mithra Pharmaceutical” merr pjesë në Edicionin e 16-të të Panairit Ndërkombëtar në Tiranë, që organizohet nga Klik Ekspo Group si pjesë e pavijonit bleg. Kompania është themeluar në maj të viti 1999 nga François Fornieri. Objekti i punës së kësaj kompanie është vetëm shëndeti i femrave. “Mithra Pharmaceutical” zhvillon dhe krijon produkte të cilat më pas i bën pjesë të marrëveshjeve me kompanitë e prodhimit në fushën farmaceutike. Në 2009-ën, po promovohen 30 produkte në Belgjikë dhe 17 të tjera në vende të ndryshme të botës. Kompania zhvillon dhe realizon produkte komerciale dhe trajtime që kanë të bëjnë me fertilitetin. Prodhon mjekime për menopauzën dhe Osteoporosin. Po kështu, një sërë kërkimesh dhe produktesh bëhen për kanceret e ndryshme tek femrat.

Ditë feste edhe në Panairin e Klik Ekspo Group

Dita e sotme në Panairin e 16-të Ndërkombëtar të Tiranës do të ketë një agjendë ndryshe nga ditët e mëparshme. Këto ditë përkojnë me festat kombëtare, si Dita e Shpalljes së Pavarësisë dhe Dita e Çlirimit dhe sipërmarrësit gjatë ditës së sotme nuk kanë parashikuar organizim forumesh. Ato do ti përshtaten klimës festive dhe do të organizojnë evente që janë në shërbim të kësaj atmosfere.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›