E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse lind tradhtia në çift

60 për qind e femrave e justifikojnë me pakënaqësinë që kanë me partnerin

Tradhtia në çift është një dukuri, e cila lind kryesisht nën kornizën se nuk je duke përjetuar një jetë të lumtur në çift. Sipas sondazheve më të fundit, 60 për qind e femrave e justifikojnë tradhtinë që i bëjnë partnerit me pakënaqësinë që kanë me të. Në njëfarë mënyre, tradhtia përkthehet kështu si një mënyrë për t’i rikthyer vetes të drejtën për të qenë i lumtur. Pasi, në fund të fundit ka kaluar tashmë koha kur femrat duhet të duronin fatin e tyre deri në fund të jetës dhe të sakrifikoheshin për burrin e vetëm. Është edhe një thënie e vjetër, që pas disa vitesh që rrinë së bashku, femra arrin të kuptojë se nuk është më e lumtur dhe e kërkon qetësinë e saj në një lidhje të re. Për këtë arsye, ajo nuk e ndalon veten të hidhet në krahët e dikujt tjetër.
Format
Por tradhtia mund të lindë edhe si një formë hakmarrjeje ndaj partnerit, për të cilin merr vesh se të tradhton me dikë tjetër dhe në të tilla raste zgjedhin vëllain ose motrën, shefin apo mikun më të mirë të partnerit apo partneres. Dhe sa më perverse të jetë kjo strategji hakmarrjeje, aq më shumë vuajtje shkakton. Ndërkaq, një arsye tjetër e cila vlen më shumë për tradhtinë e femrave, është ajo që këto të fundit kanë gjithmonë e më shumë dëshirë të ndihen të dëshiruara nga meshkujt. E nga ana tjetër, është një nostalgji e brendshme për kohët e para të dashurisë, atëherë kur doje çdo gjë prej tij apo prej saj, por që tani nuk janë më. E në të tilla kriza, kur vë re se një koleg i zyrës të sheh, atëherë është momenti më i përshtatshëm për të rënë brenda në këtë katastrofë të re, e cila quhet “tradhti”.
Dashuria
Por ka edhe dashuri me shikim të parë. Ti ke vite që jeton me një partner dhe papritur sheh dikë me të cilin dashurohesh me shikim të parë dhe kupton se ky i fundit paska qenë burri i vërtetë i jetës tënde. Në këtë rast e humbet tërësisht kontrollin e situatës dhe je gati ta ndjekësh edhe deri në fund të botës ose deri në hotelin, ku ai të le takimin. E nëse nuk je dakord për këtë ndjenjë, që sapo të ka lindur, ky zjarr ka për t’u shuar menjëherë, të jeni të sigurt. Ama, nëse vërtet bindeni se është dashuria e jetës suaj, mos u ktheni me mbrapa, edhe pse jeni duke tradhtuar partnerin tuaj real, i cili nuk është ai i duhuri për ju. E në fund, është një arsye të cilën të gjithë e kanë provuar dhe e kanë pranuar. Pas vitesh të tëra në të njëjtin shtrat, nisin të shfaqen shenjat e para të mërzitjes. Dhe nis të kuptosh se ke gjithmonë e më shumë dëshira seksuale, të cilat nuk arrin dot të t’i kënaqë partneri yt aktual. E në këtë rast, ti ke nevojë të gjesh një partner të ri seksual, pa hequr dorë asnjëherë nga ai që ke pasur në fillim.

Mos u dashuro kur tradhton dhe ji i sinqertë!

Kurrë mos u dashuro me partnerin e ri, me të cilin po tradhton të vjetrin! Kjo është këshilla kryesore që jepet në rastet e tradhtive në çift. Kështu, nëse ke vendosur se bëhet fjalë vetëm për një aventurë, atëherë vendos edhe barrierat sentimentale. Këtë mund ta shmangësh duke mos i lejuar vetes shumë gjëra intime dhe zbavitëse me partnerin e ri, si vajtja në kinema apo restorante. Kënaqu vetëm me aspektin fizik dhe pasional të lidhjes. Nga ana tjetër, një këshillë që jepet nga psikologët, nëse ke vendosur ta tradhtosh partnerin tënd, duhet që të mos i lesh të kuptojë partnerit të ri, se do e lesh të parin për të. Nëse je nisur vetëm për një lidhje të rastësishme, atëherë mos i ushqe atij iluzione për një lidhje të madhe. E kështu, ndarja mes të dyve ka për të qenë më e lehtë. Por nuk duhet harruar, se në çdo rast, ai që tradhton duhet të marrë mbi vete përgjegjësitë e tij. Pasi tradhtia në çdo rast nuk duhet marrë lehtë e duhet menduar se në fund, ajo gjithmonë mund të ketë pasoja dramatike. Gjithmonë të kesh një dashnor nuk duhet marrë si një fatalitet, por si një vendim që merret në një moment të caktuar të jetës tënde. E të mos harroni, se nuk duhet asnjëherë që t’i përzieni edhe fëmijët tuaj në çështjet e tradhtisë. Edhe nëse keni arsye të mjaftueshme dhe të drejta për ta tradhtuar partnerin, asnjëherë nuk duhet të fusni në këtë mes fëmijët tuaj. Pasi, nëse fëmijët e marrin vesh, jo vetëm që ndihen keq se tradhton prindin tjetër të tyre, por edhe traumatizohen për çka ndodh në familjen e tyre. Duhet ta mbash sa më të fshehtë lidhjen e dytë, të paktën para tyre, megjithëse këshilla për ta mbajtur lidhjen e fshehtë jepet thuajse në të gjitha rastet. Që ti të vihesh në qendër të botës duke vënë tellallin se ke një aventurë, kjo nuk është normale. Sa më pak ta dinë, aq më mirë do të jetë e ti nuk ke për t’u vënë në mes të situatave të sikletshme. Dhe në fund, këshilla që jepet, është ajo e të qenit e sinqertë me të dyja palët, si me partnerin që je duke tradhtuar edhe me atë që ke pasur më parë. Të dyve duhet t’u sqarosh në fund arsyet e vërteta se përse i ke ndërmarrë këto veprime.

Arsyet që çojnë drejt tradhtisë

Një jetë e pakënaqshme në çift mes dy palëve
Formë hakmarrjeje ndaj partnerit që tradhton
Dëshirë për t’u ndjerë i dëshiruar seksualisht
Nostalgjia për kohët e para të dashurisë
Ka edhe dashuri të forta me shikim të parë
Nevoja për përvoja të reja pas mërzisë në shtrat

ǒduhet të kemi parasysh kur tradhtojmë?

Nuk duhet kurrë të biem në dashuri me partnerin e ri
Mos e lerë kurrë partnerin e përhershëm për aventura
Kur tradhton, duhet të mbash mbi vete përgjegjësitë
Duhet ta mbash sa më të fshehtë lidhjen aventurore
Mbaji larg fëmijët nga lidhjet e tua të fshehta
Duhet të jesh sa më i sinqertë me të dy partnerët

Shkaqet pro tradhtisë

Rigjen besimin në vetvete
Ndihesh më e dëshiruar se më parë. Nis të besosh se të duan dhe se ke vlera në vetvete.
Lirohesh nga ca barriera
Je në kërkim të kënaqësive të reja seksuale, nuk e paragjykon veten dhe ndihesh e lirshme.
I shtohet kripë rutinës
Jeta jote e përditshme merr ngjyrë dhe i largohet rutinës që ka marrë. Ndihesh ndryshe.
Kënaqësia të kesh sekrete
Një dashnor është gjithmonë si një thesar, që fshihet në një kuti me çelës të artë. Të gëzon.
Është një fillim i ri
Rutina nuk ekziston më. Takimet në fshehtësi, lojërat e reja erotike, zemra rinis të rrahë.
Gëzimi i gjërave të reja
Lëkurë e re, gjeste të reja, trup i ri, fjalë të reja. Risi që të stimulojnë për një jetë të re.

Shkaqet kundër tradhtisë

Nisja e frikës së madhe
Frika se ke lënë gjurmë, zhurma e telefonit papritur etj., të gjitha arsye që krijojnë terror.
Nis ndjesia e fajit
Shpërthen në të qara se po tradhton burrin dhe fëmijët, e të bren ndërgjegjja pre atë që bën.
Nis turpi nga vetja
Fillon të kesh turp nga vetja se burri yt nuk e meriton një grua si ti. Nuk je krenare për veten.
Shpenzime të çmendura
Të kesh një të dashur të ri, kushton shumë. Pasi duhen intime të reja, bizhuteri e darka.
Shtatzëni e padëshiruar
Keni harruar të përdorni prezervativ. Edhe sëmundjet e transmetuara nisin të të fusin ankthin.
Ndryshim i paevitueshëm
Nëse partneri yt zbulon se e tradhton, gjërat s’mund të jenë si më parë. Pasoja negative në çift.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›