E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Ruli: Me ligj do të imponohet fakti që toka nuk mund të braktiset

11/11/2009  Paqartësitë me titujt e pronave, shkak për mungesën e tregut

Braktisja e tokës nga fermerët shqiptarë është pasojë e një situate të paqartë në lidhje me tregun e tokave, apo vetë konfliktet me titujt e pronësisë. Ky është një dëm i madh për vetë ekonominë e vendit dhe për ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, kjo sjellje ndaj resurseve është një situatë që duhet të marrë fund. “Asnjë vend i botës, që nga mesjeta e deri më sot nuk ka lejuar mospërdorimin dhe mosshfrytëzimin e tokës bujqësore. Tek ne ky institucion shekullor i detyrimit për ta përdorur tokën dhe tokën më të keqe për ta futur në treg në këto vite tranzicioni ka humbur. Kemi me mijëra hektarë tokë të braktisur dhe me ligjin që po përgatisim mundohet të imponohet dhe është e detyrueshme të imponohet ky element që toka nuk mund të braktiset”, – është shprehur ministri Ruli. Sipas tij, mungesa e tregut të tokës është një mangësi kryesore dhe një sfidë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ajo që duhet luftuar dhe që qeveria synon të ndryshojë me anën e kuadrit të ri ligjor që po harton, sipas ministrit Genc Ruli, është mentaliteti i ndjekur deri më tani për mospagimin e taksës së tokës. “Ky mentalitet është një nga faktorët që pengon krijimin e tregut të tokës. Ne ende nuk kemi tregun e tokës bujqësore. Këtu ka ndikuar edhe paqartësia në titujt e pronave. Për tokën bujqësore ky është një ndër problemet që duhet zgjidhur më parë. Problemi i koncentrimit të tokës pastaj në ferma më të mëdha vjen automatikisht pas saj”, – është shprehur ministri i Bujqësisë. Sektori bujqësor përbën pjesën më të vështirë të integrimit ekonomik, sepse struktura e saj në ekonomi apo problemet e mëdha janë të trashëguara. Një ndër problemet më kryesore me të cilat është përballur fermeri shqiptar është reforma me bazë ligjin 7501. Ndarja e tokës sipas këtij ligji nuk lejoi krijimin e femrave të mëdha dhe eficiente. Prodhimi bujqësor aktualisht në Shqipëri vjen vetëm nga fermat e vogla, të cilat nuk mund të përballen me konkurrencën në rritje të mallrave që vijnë nga importi. Ferma e vogël bujqësore me sipërfaqe toke mesatarisht 1,2 ha/ fermë, shkalla e ulët e mekanizimit, niveli i ulët teknologjik, niveli i ulët i produktivitetit, mungesa e bashkëpunimit midis fermerëve, standardet ende të ulëta të prodhimeve, si dhe shkalla e ulët e konkurrueshmerisë, janë disa nga faktorët pengues për një zhvillim të qëndrueshëm e të shpejtë të bujqësisë shqiptare. Një pjesë e mirë e fermave afërsisht 65 për qind të totalit janë të paafta të dalin në tregun e brendshëm dhe për pasojë, një vëllim relativisht të lartë të importit të produkteve bujqësore e ushqimore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›