E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Sa’ar në Tiranë, ekspozitë me dokumente për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Me rastin e vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar në Tiranë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i prezantoi delegacionit izraelit një përzgjedhje dokumentesh historike dhe arkivore, që dëshmojnë rolin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Ekspozita solli në vëmendje korrespondencë zyrtare, dokumente udhëtimi dhe akte diplomatike, që rrëfejnë një histori të veçantë guximi, solidariteti dhe humanizmi në një nga periudhat më të errëta të historisë.

Ministrat Hoxha dhe Sa’ar panë nga afër dokumentet arkivore që pasqyrojnë përpjekjet e zyrtarëve dhe diplomatëve shqiptarë për të ndihmuar hebrenjtë që po largoheshin nga persekutimi nazist, si ata që jetonin në Shqipëri, ashtu edhe shumë të tjerë që udhëtonin drejt vendit tonë në kërkim të strehimit, në një kohë kur Shqipëria ishte kthyer në një strehë të sigurt për hebrenjtë.

Pas çdo pasaporte, vize, letre zyrtare dhe identiteti të sajuar me kujdes qëndronte një jetë njerëzore dhe shpresa për të mbijetuar.

Ministrat vizituan gjithashtu edhe “Pemën e Kujtesës”, të mbjellë në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, si simbol i kujtesës, përgjegjësisë dhe miqësisë. Ulliri mban mesazhet e nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë dhe të shkollës “Refik Veseli” në Berlin.

“Nga veprimet e guximshme të atyre që, të udhëhequr nga Besa, kodi shqiptar i nderit, zgjodhën humanizmin në vend të indiferencës dhe guximin në vend të frikës, te të rinjtë që e mbajnë gjallë kujtesën e tyre edhe sot, kjo trashëgimi vazhdon të përcillet përtej kufijve dhe brezave. Ajo mbetet një themel i fuqishëm i miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Izraelit”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›