E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Xhuveli vlerëson ecurinë e punimeve për ndërtimin e lanfillit në Bushat

Ecuria e projektit për ndërtimin e landfillit (vendmbulimit) të Bushatit është e kënaqshme, vlerësoi ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Lufter Xhuveli, gjatë inspektimit të punimeve në të.  Zëdhënësi i kësaj ministrie bëri të ditur sot, se ministri Xhuveli,  i shoqëruar nga specialistë të mjedisit dhe nga kryetari i Komunës së Bushatit, Zef Hila, inspektoi gjatë ditës së djeshme punimet e këtij vendmbulimi, i cili, sipas tij, pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm për problemin e mbetjeve urbane. Ministri Xhuveli vlerësoi gjithashtu respektimin e standardeve mjedisore të këtij investimi. "Ky investim do të zgjidhë përfundimisht problemin e mbetjeve urbane të Qarkut të Shkodrës dhe Lezhës, duke përmirësuar situatën mjedisore dhe mbi të gjitha peizazhin urban të këtyre zonave", theksoi ai. Sipas të dhënave nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, për realizimin e këtij projekti janë investuar rreth 4 milionë euro nga buxheti i shtetit, ndërsa parashikohet që ai të vihet në punë në muajin shtator të këtij viti. Në total niveli i investimeve në fushën e mbetjeve urbane nga ana e qeverisë shqiptare për studime fizibiliteti dhe ndërtimin e  landfilleve shkon në rreth 145 milionë lekë. Janë në ndërtim landfillet në Bushat, Tiranë dhe Sarandë, si dhe po realizohen studime fizibiliteti dhe zbatimi në më shumë se 9 qytete të vendit për zgjidhjen e çështjes së menaxhimit të mbetjeve urbane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›