E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Largohem nga politika nëse PD nuk fiton në zonën e Vorës

Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, deklaroi në emisionin “Opinion” se nëse PD–ja nuk i fiton zgjedhjet në zonën e Vorës, ai do të japë dorëheqjen nga funksionet politike që mban. Në debatin në “Opinion” ishin përballë njëri-tjetrit kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, Astrit Patozi e Ardian Kollozi dhe dy kandidatë të Partisë Socialiste, Fatmir Toçi e Eltar Deda. Patozi deklaroi gjatë emisionit të mbrëmshëm se Partia Demokratike do të fitojë për vetë investimet që kjo forcë ka bërë për 4 vitet që qeveris vendin. “Deklaroj në mënyrë solemne se në rast se PD nuk fiton zgjedhjet në zonën e Vorës, ku përfshihet edhe Gërdeci, atëhere unë deklaroj publikisht se do të jap dorëheqjen nga politika”, tha Patozi. Deklarata e nënkryetarit të PD erdhi pas një sërë insinuatash që kandidatët për deputetë hodhën në debat, ku aluduan se disa drejtues të PD paskan ndryshuar zonat e kandidimit se nuk ishin të sigurtë në zonat ku kishin kandiduar më parë. Në të vërtetë, në zonën ku ka kandiduar nënkryetari i PD, Patozi, PD i ka fituar të gjitha betejat elektorale gjatë nëntë viteve të fundit. Edhe pak muaj pas tragjedisë së Gërdecit, në zgjedhjet për kryetarin e Komunës së Kasharit, PD fitoi me një rezultat mjaft të thellë në krahasim me rivalët e saj. ”Dua t’u kujtoj se në zgjedhjet në zonën e Kasharit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg nga Gërdeci, PS humbi thellësisht zgjedhjet, duke u renditur jo forcë e dytë politike, por forca e katërt politike”, tha Patozi. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›