E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria turistike, stacion i “Shqipëria po ndryshon”

Kryeministri Berisha ka qenë dje në Orikum, ku ka përuruar unazën e re të qytetit, por edhe ka shpallur moton e mandatit të dytë të qeverisjes: “Shqipëria turistike, një Shqipëri Evropiane”.

Berisha në Divjakë: Vota për nr 10 në listën e partive, votim për të mos u kthyer prapa

Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Orikumi, se mandatin e dytë qeverisës Shqipëria turistike do të jetë nga prioritetet më të rëndësishme, duke premtuar shtrirjen e investimeve madhore, jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në ato malore, drejt alpeve. Gjatë një takimi të zhvilluar me qytetarët në Orikum, kreu i qeverisë Berisha u shpreh se çdo ditë e më shumë është përmirësuar infrastruktura e këtij qyteti turistik. 

“Në Orikum, qeveria ime në katër vite, ka investuar dhjetëra e dhjetëra herë më shumë sesa qeveria socialiste. Unë po vij këtu nga Vlora. Në Vlorë inauguruam rrugën Transballkanike, ndoshta rruga më e gjerë e Shqipërisë, e cila i jep Vlorës pamjen e një metropoli të vërtetë, rrugë dinjitoze, për çdo metropol evropian. Këtu te ju inauguruam unazën dhe gjatë këtyre katër viteve në Orikum ne investuam në unazën e qytetit 1, 2 milion dollarë, Shëtitoren e Radhimës 48 milion lekë, rrugën e Dukatit 60 milion lekë, shëtitoren e Dukatit  të Ri 67 milion lekë, shëtitoren e Orikumit 60 milion lekë, në hyrjen e Orikumit 43 milion lekë, në rikonstruksionin dhe shtesën e shkollës ‘Balil Pelari’ 43 milion lekë, në ndërtimin e ambulancës së plazhit të Radhimës 36 milion lekë. Në parkun eolik të Karaburunit do të investohen 1.2 miliard euro, në ujësjellësin e qytetit 16 milion euro. Është përfunduar plani rregullues”, u shpreh kryeministri. 

Berisha vlerësoi se turizmi është potenciali më i madh i këtij kombi dhe vendi, është potenciali i të gjitha potencialeve, është potenciali që do ta shkëpusë Shqipërinë në mënyrë përfundimtare nga e kaluara e hidhur dhe do ta çojë drejt begatimit dhe prosperitetit. 

“Dua t’ju informoj ju, se nga Velipoja në Ksamil, kjo qeveri, për rrugët ujësjellësit, kanalizimet, për sistemimin e mbeturinave, përpunimin e ujërave të zeza,  shkollat, për shërbimin shëndetësor ka investuar në këtë zonë rreth 700 milion euro. Me ne erdhi turizmi. ‘Shqipëria evropiane, Shqipëria turistike’, kjo është motoja jonë.  Në vitin 2004 kemi pritur si vend 300 mijë vizitorë, në vitin 2008 kemi pritur 2.7 milion vizitorë. U garantoj ju se në katër vitet që vijnë çdo rrugë, rrugice, fshat, i këtij bregu do të asfaltohet, do të urbanizohet me të gjitha standardet evropiane. Në se Shqipëria, në vitin 2004 priti 300 mijë vizitorë, vitin që kaloi vetëm Saranda priti 300 mijë vizitorë. Në qoftë se në vitin 2008 Shqipëria priti 2.7 milion turistë, jam këtu për t’u zotuar  se në vitin 2013 vetëm qarku juaj do të presë 2.7 milion turistë. Ky është qëndrimi ynë, sikundër katër vitet që vijnë ne do të hedhim bazat e një turizmi tjetër shumë të rëndësishëm , turizmit malor. Do të shtrijmë infrastrukturën drejt Tomorit, Çajupit, Alpeve të Shqipërisë, drejt Lurës. Ky vend ka një potencial të paimagjinueshëm turistik. Zvicra është bërë e famshme për malet e saj, Shqipëria do të bëhet e famshme për malet dhe brigjet e saj”, deklaroi kryeministri. 

Berisha iu referua edhe pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit, duke theksuar se me dokumente të tilla shqiptarët barazojnë veten me qytetarët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të zhvilluara të Bashkimit Evropian. 

“Ju bëj thirrje, merrini kartat e identitetit, se është dhe ndjenje krenarie që të shkojmë në ditën e zgjedhjeve para gjithë Evropës dhe të tregojmë se me çfarë votojmë ne. Ne votojmë me letërnjoftimet me moderne, të teknologjisë më të lartë, të prodhuara deri me sot në Evropë”, theksoi kryeministri. 

Berisha u shpreh se është momenti që të shqiptarët të firmosin për projektin e Shqipërisë evropiane. 

“Nuk duhet të ndahemi, të bashkohemi në këtë udhëtim se kjo është ëndrra e me bukur e shqiptarëve, e fëmijëve tanë. Le të ecim ne, besimin duhet ta vendosni aty, ku ai justifikohet. Jemi ne që e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, jemi ne, të cilët bëmë që Shqipëria të dalë në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Jemi ne që bëmë të pranohet aplikimi për vend anëtar në Bashkimin Evropian”, deklaroi ndër të tjera kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›