Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takohet me banorë të Dibrës

“Mandatin e ardhshëm nuk do të jemi thjesht qytetarë të NATO-s, por dhe qytetarë evropianë”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, gjatë një takimi me banorë të Dibrës, premtoi vazhdimësinë e projekteve të mëdha të zhvillimit të vendit në mandatin e dytë qeverisës të Partisë Demokratike.
“Ne kemi transformuar vendin dhe do të ecim më tej me projekte të mëdha zhvillimi e integrimi. 28 qershori do të jetë konfirmimi i vazhdimit të projekteve tona”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Me këtë rast është hapur një ekspozitë me koleksionin e rrallë të britanikes Patricia Nugee, me vepra shumëshekullore të autorëve të ndryshëm për figurën e heroit tonë. Vizita në këtë ekspozitë, ishte ndalesa e parë e nënkryetares së PD-së, e cila më pas, së bashku me kandidatët për deputetë të PD-së në Dibër, përuroi një monument madhështor të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, në qendër të qytetit.
Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga zonja Nugee, tha se për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë nuk ka krenari më të madhe që në historinë tonë ka një legjendë të tillë, që kërkonte Shqipërinë evropiane, ashtu siç shkruhet sot në raportet ndërkombëtare për vendin tonë, me fjalët më të mira, për një popull me energji të pashtershme, për një Shqipëri që është transformuar, për një Shqipëri evropiane.
“Mandatin e ardhshëm nuk do të jemi thjesht qytetarë të NATO-s, por dhe qytetarë evropianë”, tha zonja Topalli.
Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, rritja e rrogave e pensioneve, ulja e taksave për biznesin etj, janë arritje që askush nuk mendonte se mund të realizoheshin në një kohë kaq të shkurtër.
...