E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vitin e ri akademik UBT do të pranojë 2570 studentë të rinj

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) propozon kuotat dhe tarifat e regjistrimit për programet dhe degët mësimore, që do të ofrohen gjatë vitit të ardhshëm akademik. Ky universitet, pas rishikimit të kapaciteteve si në ambiente, ashtu dhe në përbërjen e stafit akademik, propozon që për vitin akademik 2009 -2010 në fakultetet e tij të pranojë 2570 studentë të rinj. Propozimet e UBT-së janë depozituar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nga ku pritet miratimi i tyre. Bazuar në kuotat e përcaktuara për secilin fakultet, numrin më të lartë të pranimeve këtë vit do ta ketë Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, me rreth 1030 pranime, të ndara sipas degëve përbërëse; më pas renditet Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, me rreth 850 pranime të tjera. Ndërsa fakultete e tjera kanë një numër më të kufizuar pranimesh për shkak të mungesës së ambienteve. Për studimet me kohë të pjesshme janë vënë në dispozicion rreth 700 kuota studimi, të shpërndara sipas degëve përkatëse. Në vitin e ardhshëm akademik pranë këtij universiteti do të pranohen edhe studentë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, për të cilët janë caktuar rreth 60 kuota pranimi. Përzgjedhja e tyre do të bëhet në kritere të veçanta krahasuar me kandidatët e tjerë në vend. Gjithashtu pranë Filialit të këtij Universiteti, në qytetin e Lushnjës, do të akomodohen rreth 130 studentë në programet që ofrohen në këtë qytet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›