E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i riformatizimit

Këtë javë pritet të përfundojë procesi i ndryshimeve në Qeverinë e Kosovës, ku do të shkarkohen të paktën gjashtë zyrtarë të hallkës së dytë të Ekzekutivit - zëvendësministrat.

Sipas burimeve të Expressit, PDK’ja tashmë ka përgatitur listën e emrave që do të shkarkohen, e edhe atyre që do të emërohen. Kurse LDK’ja pritet ta përfundojë këtë proces të mërkurën, kur edhe mbahet mbledhja e Kryesisë së saj.

“Këtë javë, Kryeministri pritet t’i publikojë ndryshimet e zëvendësministrave”, ka konfirmuar Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, në një prononcim për Express.

Ai nuk ka dhënë ndonjë emër të atyre që do të shkojnë, por as të atyre që do të bëhen pjesë e Ekzekutivit.

“Kjo është kompetencë e Kryeministrit, i cili në bashkëpunim me partnerët e koalicionit do të vendosin për emrat”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se partia e tij është e gatshme për procesin e ndryshimeve brenda Qeverisë.

“Ne çdo moment pritet të përfundojë ky proces. Normalisht ne jemi të gatshëm dhe jemi pjesë e ndryshimeve në Qeveri”, ka thënë Haziri.

Edhe Nënkryetari tjetër i LDK’së, Eqrem Kryeziu ka dhënë sinjale se brenda javës mund të përfundojnë ndryshimet në Qeverinë e Kosovës.

“Mund të përfundojë këtë javë, por të shohim”, ka thënë Kryeziu, për Express.

Ai nuk ka dashur të flasë për emrat e mundshëm që do të hyjnë në Qeveri me arsyetimin se kjo do të vendoset në Kryesinë e Partisë.

Express, duke u thirrur në burime brenda PDK’së dhe LDK’së, ka shkruar se Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mubera Mustafa do të largohet nga ky post për shkak se ka lidhje familjare me Ministrin Bujar Bukoshi, ndërkaq Shpend Tërdeva largohet nga pozita e Zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Edhe Zëvendësministrja e Kulturës, Lirie Kajtazi, pritet të transferohet në Ministrinë e Pushtetit Lokal, kurse Dardan Gashi bashkë me Zenun Pajazitin do të emërohet Zëvendësministër i Integrimeve.

I vetmi që nuk ka pritur vendimin e Kryeministrit, por ka dhënë dorëheqje nga posti i Zëvendësministrit, është Adem Grabovci.

Ndryshimet në Qeveri i ka kritikuar më së shumti Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, derisa javën e kaluar i është bashkuar edhe Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.

"Ky riformatizim nuk ka qenë dashur të ndodhë. Është dashur të shkohet drejt në zgjedhje. Kjo është vazhdimësi e një keqqeverisjeje të përgjithshme”, ka thënë Kryetari i Prishtinës, të premten.

Megjithëkëtë, shkarkimet në Qeverinë e Kosovës nuk do të përmbyllen vetëm me kabinetin qeveritar.

Partnerët e koalicionit janë pajtuar për ndërrim të udhëheqësve dhe anëtarëve të bordeve të ndryshme, nëse vlerësohet se nuk kanë zbatuar me efikasitet politikat e Qeverisë. I njëjti proces do të përfshijë edhe udhëheqësit e agjencive dhe departamenteve të tjera qeveritare. Gjatë ditëve në vazhdim, pritet të shkarkohen zyrtarë të prokurimit, aty ku Auditori ka gjetur parregullsi gjatë procesit të tenderimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›