Ministri i Drejtësisë në seancë dëgjimore për grevën e ish-të përndjekurve
Socialistët heshtin, Eduard Halimi zbulon shifrat e dëmshpërblimit të përfituara prej të përndjekurve
Anëtarët socialistë të komisionit të ligjeve kanë heshtur para ministrit të drejtësisë Eduard Halimi i cili ishte thirrur në seancë dëgjimore për grevën e disa të ish-përndjekurve politik. Pas raportimit të kreut të drejtësisë lidhur me atë se çfarë ka bërë ministria e drejtësisë për kërkesat e ish-të përndjekurve për dëmshpërblim asnjë nga anëtarët e komisionit nuk ka pasur asnjë pyetje për Halimin.
Heshtjen e socialistëve, Pandeli Majko e ka justifikuar me faktin se ata donin vetëm që institucionet të flisnin për kauzën e grevistëve.
“Sot ne nuk bëme pyetje, pasi ne nuk jemi përfaqësuesit e grevës së urisë dhe nuk marrim përsipër të flasim në emër të kërkesave që ata kanë. Sot në publik, ne u përpoqëm të nxisim përfaqësuesit e institucioneve qeveritare të flisnin. U takon të përndjekurve të bëjnë komente për këto çështje”, tha Majko.
Seanca dëgjimore me ministrin Halimi lidhur me çështjen e dëmshpërblimit financiar për ish të burgosurit politik, ishte kërkuar nga Partia Socialiste.
Sipas kësaj kërkese, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi raportoi në Komisionin për çështjet Ligjore të Kuvendit mbi ecurinë e procesit të dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit politik, gjatë kohës së regjimit komunist.
Siç deklaroi ministri Halimi në Komision, është shpërndarë kësti i parë për të gjithë ish-të burgosurit politikë. Ndërkohë që, është dhënë kësti i dytë për ata që janë mbi 65- vjeç, ndërsa ka nisur dëmshpërblimi për ata, të cilët janë nën këtë moshë, pohoi ministri Halimi.
“Nga 20.589 kërkesa që janë depozituar në ministrinë e Drejtësisë ka përfunduar procesi për 11.759 kërkesa, të cilat kanë pasur të bëjnë me burgim dhe me pjesën e të ekzekutuarve, Sipas viteve të përndjekurit kanë përfituar 20 milionë dollarë në vitin 2009, 14 milionë dollarë në vitin 2010, 14 milionë dollarë në 2011, dhe 17 milionë dollarë në vitin 2012”, vijon ministri.
Ndërkaq ministri Halimi tha se ministria e drejtësisë i ka trajtuar të gjitha kërkesat që kanë plotësuar kriteret ligjore ndërsa ka përmendur edhe kategoritë të cilat nuk kanë përfituar. Sipas tij, deri në fund të vitit 2012 parashikohet përmbyllja e shqyrtimit administrativ të 100 kërkesave që i përkasin të pushkatuarve pa gjyq.
Shifrat e përfituara të dëmshpërblimit
Viti 2009
20 milionë dollarë
Vitit 2010
14 milionë dollarë
Viti 2011
14 milionë dollarë
Vitit 2012
17 milionë dollarë