Majlinda Bregu thirrje opozitës të votojë ligjet e integrimit
Ministrja e Integrimit raporton në Komisionin parlamentar të Integrimit lidhur me progres raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Gramoz Ruçi asnjë sinjal optimist për miratimin e tre detyrimeve
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, raportoi të martën në komisionin parlamentar të Integrimit lidhur me progres raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
“Shqipëria ka afat deri më 20 nëntor për të përmbushur tre kushtet që Këshilli t’i thotë po propozimit të Komisionit Europian për Shqipërinë kandidate në BE në muajin dhjetor”.
Në këtë situatë ministrja e Integrimit, gjatë raportimit në komisionin e posaçëm parlamentar, i bëri thirrje opozitës që të japë votën e saj pro ligjit për Gjykatën e Lartë, ligjit për nëpunësin civil dhe amendamentet konsenuale për reformën parlamentare, sipas marrëveshjes së 14 nëntorit 2012, në të kundërt statusi nuk do të merret.
Në fjalën e saj, ministrja Bregu kërkoi bashkëpunimin e opozitës për përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga Brukseli deri më datën 20 nëntor, ndërkohë që zgjedhjet e 2013-s janë një parakusht për hapjen e negociatave me BE-në, për Shqipërinë.
“Punuam që Plani i Veprimit të kishte opinione të përbashkëta. Propozimi për statusin e BE-së bazohet në meritë. Statusin nuk e merituam dy vite më parë, se politika e dëmtoi procesin. Plani i veprimit për integrimin do të vijojë të monitorohet prandaj dhe kërkoj nga ju zbatimin e detyrimeve të Plan-Veprimit”, iu drejtua ministrja Bregu deputetëve socialistë në komision.
Ajo ftoi opozitën të miratojë ligjin “Për Gjykatën e Lartë”, “Për nëpunësin civil” dhe reformën parlamentare, tre kushtet e vendosura nga Brukseli në progres raportin e fundit për Shqipërinë.
Në këtë seancë dëgjimore ministrja e Integrimit u shpreh se zgjedhjet jo rastësisht janë kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim, pasi Europa nuk mund të harrojë lehtë bojkotin dhe grevën e urisë, mungesën dyvjeçare të dialogut politik në Parlament, situatë kjo që pasoi zgjedhjet e 2009-ës, ndonëse ishin zgjedhje që, sipas OSBE ODIHR kapën standardet e larta të BE-së, por që mbajtën socialistët në opozitë dhe demokratët në pushtet.
Sipas Bregut, zgjedhjet e vitit 2013 janë një parakusht për të testuar besueshmërinë e palëve politike.
“Shqipëria duhet të kthejë besimin tek zgjedhjet parlamentare”, theksoi ministrja gjatë raportimit të sotëm në komisionin e Integrimit.
Replikat dhe batutat shoqëruan mbledhjen e komisionit, ku spikatën ato mes ministres Bregu dhe kreut të deputetëve socialist Ruci, anëtar i Komisionit të Integrimit në të njëjtën kohë.
Gramoz Ruçi nuk dha asnjë sinjal optimist për miratimin e tre detyrimeve, duke ritheksuar si kusht zgjidhjen e çështjes së Qarkut të Fierit. Për këtë qark ministrja Majlinda Bregu theksoi mocioni do të ishte zgjidhje që socialistët e kanë aplikuar dhe më parë.