Olldashi: Ulëm financimet për disa investime
Ministri i pranon se në disa objekte ka ulur qëllimisht financimin. Firmat nuk përballonin fluksin e punës
TIRANË- Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, komentoi dje kërkesën publike ndaj qeverisë të Shoqatës së Ndërtuesve për të shlyer detyrimet ndaj këtyre te fundit. Sipas tij, është e vërtetë që ka pasur një financim më të ulët se sa nevojitej për shkak se kompanitë nuk mund të përballonin fluksin e investimeve publike. "Realisht nuk ka asnjë shqetësim, në këtë aspekt ka ndodhur një fenomen që e kam shpjeguar edhe më parë. Në vitin 2008 për shkak të ritmit të lartë të financimit të rrugeve, kompanitë e ndërtimit ishin në vështirësi serioze për të konsumuar ato para që viheshin në rrugë për të shmangur rrezikun e mbledhjes së fondeve në fund të vitit. Ajo që ka bërë ministria ka qënë një mbajtje me një financim pak më të ulët e disa objekteve, pra nëse firma nuk do të ishte në gjendje të arrinte atë që kërkonim, të paktën të mos digjnim fondet, pasi janë investime që qytetarët i kërkojnë", - tha ai.
Në një farë mënyrë, Olldashi ka pranuar se të paktën deri pak ditë më pare, qeveria ka pasur detyrime të pashlyera ndaj kompanive ndërtuese. "Jo më larg se 5 ditë më pare, ne kemi vënë ne dispozicion të firmave 2 miliardë lekë", - shtoi ai.
Një ditë më pare, Drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, Maksim Muçi, dha alarmin se shumë shoqëri ndërtimi rrezikonin falimentimin për shkak të mospagesës nga qeveria për punën e bërë. Sipas tij, duke u përballur me ritme të larta investimesh, një pjesë e kompanive janë detyruar që të marrin kredi për blerjen e materialeve të nevojshme për realizimin e objekteve, të cilat tashmë duhet të shlyhen. Kjo situatë e rënduar financiare e kompanive, theksoi Muçi, po shoqërohet edhe me humbjen e vendit të punës për shumë punonjës të kompanive. Shuma që ndërtuesit pretendojnë se shteti nuk ia ka shlyer është 70 milionë euro e cila duhet t'iu ishte dhënë që në fund të muajit maj.