Prifti kundër rritjes së çmimit në masën 44.4 %
Minisitri i Ekonomisë i ka sugjeruar Entit Rregullator të mos e pranojë një rritje deri në këtë masë duke e cilësuar atë si të ekzagjeruar
TIRANË- Në momentin kur zyrtarisht janë bërë publike pretendimet e kompanisë CEZ për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 44.4 për qind brenda dy viteve ka reaguar edhe ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Duke e konsideruar të ekzagjeruar dhe të papërballueshme për konsumatorët rritjen e çmimit në këtë masë, Prifti i ka kërkuar ERE-s që të tregohet e matur përballë një kërkese të tillë. " Unë nuk kam më të drejtë të ndërhyj në një çështje të tillë, por i bëj thirrje ERE-s që ta rishikojë edhe njëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Mendoj se për çdo ent rregullator nuk do të ishte normale që të pranonte kërkesën për një rritje të tillë", - tha ai.
Në këtë mënyrë, ministri Prifti, është shprehur kundër rritjes së çmimit deri në këtë masë. Por pavarësisht qëndrimit të tij, shtrenjtimi i energjisë është paravendosur me nënshkrimin kontratës së shitjes së Operatorit të Shpërndarjes në të ashtuquajturën "Deklarata rregullatore", ku shteti shqiptar i garanton blerësve pranimin e rritjes së çmimit dhe nëse kjo nuk ndodh humbjet do të kompensohen me të ardhura nga buxheti.
Me gjithë kërkesën e CEZ-it për rritjen e çmimit duke filluar nga viti 2009, për të arritur një nivel të ardhurash të parashikuara rreth 43 miliardë lekë, për faktin se ishte një vit elektoral kjo nuk u miratua nga qeveria. Për shkak se pritet të dalë me bilanc negativ për këtë vit, e pranuar kjo edhe nga Drejtori Hejsek, OSSH-ja synon rikuperimin e këtyre humbjeve gjatë viteve 2010-2011 me një rritje totale të energjisë me 44.4 për qind.
Prifti është zyrtari i parë që është shprehur kundër rritjes së energjisë në këtë masë, pasi që prej publikimit të pretendimeve të OSSH-së e deri më tani, as Kryeministri, ministrat apo zëvendësat e tyre por edhe ndonjë zyrtar nuk ka denjuar ta cekë këtë problem.
Duket se çmimi i energjisë do të miratohet në masën e kërkuar nga kompania CEZ, pasi për mënyrën se si janë "kopsitur" gjërat dhe nëse analizohen pikat e "Deklaratës Rregullatore", investitori ndjehet i pacënuar në pretendimin e tij. E nëse kjo nuk miratohet, automatikisht në llogarinë e tij kalojnë 60 milionë euro nga kredia që qeveria shqiptare mori në fillim të vitit në formë garancie për respektimin e kushteve të kontratës ndaj këtij investitori. Në pikën 6 të deklaratës rregullatore, përcaktohet qartë se nëse Enti Rregullator i Energjisë nuk miraton rritjen e çmimit, humbjet do të kompensohen nga shteti shqiptar.
"Në rast se ERE nuk lejon në tarifë një pjesë të të ardhurave të llogaritura sipas metodologjive përkatëse të miratuara nga bordi i komisionerëve të ERE-s me vendimet Nr. 79 dhe 80 të datës 26.06.2008, atëherë kjo pjesë e të ardhurave do të jetë objekt i mekanizmit të kompensimit", - citohet në të.
Për vitin 2010 CEZ parashikon që të ketë 44.5 miliardë lekë të ardhura. Por një nivel i tillë është thuajse i pamundur duke marrë parasysh humbjet dhe kompania kërkon ta mbulojë atë duke rritur çmimin e energjisë për konsumatorët. Sipas kompanisë, për të arritur nivelin e të ardhurave në 44.5 miliardë lekë, çmimi i energjisë duhet të pësojë një rritje me 44.2 për qind. Por, me arsyetimin se një rritje e tillë do të linte shije të hidhur tek konsumatorët është parashikuar që rritja kryhet por duke e ndarë në dy vite. Pra, për vitin 2010 do të aplikohet një rritje mesatarisht deri në 23.1 për qind ndërsa pritet një shtrenjtim tjetër me 21.1 për qind në 2011-ën.
Por, duke parë që me një rritje deri në 23.1 për qind, gjatë vitit 2010 kompania nuk e arrin shumën e të ardhurave 44.5 miliardë lekë të përcaktuara për këtë vit, për plotësimin e këtij boshllëku, nga buxheti i shtetit do të jepen rreth 1 miliardë lekë në formë kompensimi në përputhje edhe me pikën 6 të deklaratës rregullatore.