Qeveria miraton vendimin për emetimin e Eurobondit, Berisha: Ekonomia, në gjendje entuziaste
Kryeministri Sali Berisha, bëri të ditur sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se Shqipëria për herë të parë del në tregun financiar ndërkombëtar me bonot e veta të thesarit. Duke folur mbi këtë vendim, ai e vlerësoi atë një arritje të vërtetë, pasi për herë të parë Shqipëria del në tregun financiar ndërkombëtar me bonot veta të thesarit. Sipas tij, kjo përbën një dëshmi të një zhvillimi shumë të rëndësishëm, cilësor ekonomik dhe financiar të vendit.” Kreu i ekzekutivit i theksoi se ndonëse dalin në një kohë globale të papërshtatshme, Shqipëria sërish jep sinjalet më pozitive. “Ekonomia shqiptare këto tre muaj në disa aspekte ka një performancë të paprecedent. Dua tu rinjoftoj se eksportet shqiptare, “Made in Albania”, në tremujorin e parë të këtij viti kanë pasur rritjen më të madhe në historinë e këtij vendi, por kanë pasur gjithashtu një rritje të paparashikuar krahasuar me tremujorin e parë të viti 2009”, deklaroi Berisha. Më tej, Kryeministri theksoi se tregu i bonove të thesarit do të jetë një treg i favorshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi ato kanë pas mbështetjen e një ekonomie me tregues të lartë të zhvillimit. “Ekonomia është në gjendje entuziaste, entuziazëm të cilin nuk ia cenoi as cunami financiar, as kutia. Ky është realiteti. Kështu që në këto kushte ne jemi optimist se tregu i bonove të thesarit, i eurobondeve do të jetë një treg i favorshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dy institucionet, ndër më kryesoret në botë, Deutsche AG bank dhe JP Morgan kanë marrë përsipër trajtimin e eurobondeve të Shqipërisë. Kështu që ato dalin në treg duke pasur pas mbështetjen e një ekonomie, e cila është e pashoqe për treguesit e saj”, sqaroi kreu i qeverisë shqiptare.