E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm francez: Al Asad nuk meriton të jetojë

Ministri i Jashtëm i Francës, Lloren Fabju, ka deklaruar se presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, “nuk meriton të jetojë”.
 

“Pasi kam dëgjuar dëshmi të tmerrshme të njerëzve që ishin aty, Bashar al-Asadi nuk meriton të jetë në tokë”, ka thënë Fabju pas vizitës që u ka bërë refugjatëve sirianë në kampet e vendosura në kufirin Siri-Turqi.
 

Fabju, me Turqinë përfundon turneun rajonal, gjatë të cilit ka vizituar edhe Libanin dhe Jordaninë, ku po ashtu ka numër të madh të të zhvendosurve sirianë.
 

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, numri i refugjatëve sirianë në vendet fqinje ka arritur në 170.000-61,000 në Turqi, nga 47.000 në Jordani dhe Liban, si dhe 15.000 në Irak.

Ndërkaq nga Siria, sipas raporteve të mediave në Lindjen e Mesme, bëhet me dije se zëvendëspresidenti i Sirisë, Farouk al-Shara, ka dezertuar duke iu bashkuar opozitës, dhe është larguar për në Jordaninë fqinje.

Rrjeti në pronësi saudite, Al-Arabija, ka cituar një aktivist të Ushtrisë së Lirë Siriane opozitare, se al-Shara ishte zhdukur para 10 ditësh dhe se besohet se ka udhëtuar për në Aman.

Ky zhvillim ka ndodhur në periudhën e raporteve për dezertimin e disa zyrtarëve të lartë të qeverisë, përfshirë edhe një të afërm të zëvendëspresidentit al-Shara, Kryeministrin, dhe dy anëtarë të kabinetit të Presidentit, Bashar al-Asad. Al-Shara, 74 vjeçar, ka shërbyer si zëvendëspresident prej vitit 2006.

Këto largime të zyrtarëve të lartë të Sirisë në anën e kryengritësve, shihen si një pikë kthese madhore në konfliktin 17 mujor ndërmjet Presidentit Asad dhe kryengritësve, që kërkojnë largimin e tij.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›