Berisha kritikon Ahmadinexhad: Ndan të njëjtën ideologji me Hitlerin

Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad. Përmes një deklarate për mediat, Berisha shprehet se me deklaratën e tij të fundit se nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, Ahmedinaxhad, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe Lejtenantet e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre.
Në këtë kontekst Kryeministri shton se me këto qëndrime, Ahmedinexhad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën.
“Deklaratat naziste e paranojake të Ahmedinexhad janë një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet të programit nuklear të Iranit si një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore sot"thekson Berisha.
Të premten në Iran Mahmoud Ahmadinejad lancoi parullën “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit! dhe më pas mijëra qytetarë të mbledhur aty kanë përsëritur fjalët e Presidentit, i cili ka thënë se në të ardhmen e Lindjes së Mesme nuk ka hapësirë për shtetin hebre.
“Tumori izraelit do të eleminohet së shpejti”, ka thënë presidenti në Universitetin e Teheranit, me rastin e së premtes së fundit të muajit të Ramazanit, kur në Iran festohet edhe Dita Botërore e Jeruzalemit, në solidaritet me palestinezët kundër Izraelit.
“Regjimi sionist është një kancer. Shumë shpejt vendet e rajonit do t`i japin fund pranisë së pushtuesve sionistë në tokën e Palestinës. Perëndimorët thonë se duan një Lindje të Mesme të re, por në rajonin tonë nuk do të ketë më gjurmë të sionistëve”, ka shtuar presidenti, i cili e ka mbyllur fjalimin me klithmën: “Vdekje Izraelit dhe vdekje Amerikës”.