E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm i Ukrainës kritikon Macron: Thirrjet për të mos poshtëruar Rusinë, mund të poshtërojnë vetëm Francën

Ministri i Jashtëm i Ukrainës reagoi ashpër ndaj komenteve të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili tha se “ne nuk duhet të poshtërojmë Rusinë”.

Macron ka mbajtur një linjë komunikimi të hapur me Kremlinin dhe shkoi në Moskë në shkurt, në një përpjekje të dështuar për të penguar Rusinë të pushtojë Ukrainën.

“Ne nuk duhet të poshtërojmë Rusinë, në mënyrë që ditën kur luftimet të ndalojnë, të mund të ndërtojmë një platformë daljeje me mjete diplomatike. Jam i bindur se është roli i Francës që të jetë një fuqi ndërmjetëse”, tha Macron në një intervistë për gazetat rajonale në Francë.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shkroi në Tëitter se “thirrjet për të shmangur poshtërimin e Rusisë mund të poshtërojnë vetëm Francën dhe çdo vend tjetër që do ta kërkonte atë. Sepse është Rusia ajo që poshtëron veten. Të gjithë më mirë të përqendrohemi se si ta dërgojmë Rusinë sërish në vendin e saj. Kjo do të sjellë paqe dhe do të shpëtojë jetë”.

Zyrtarët ukrainas kanë refuzuar çdo propozim që sugjeron që një pjesë e territorit t’i jepet Rusisë si pjesë e negociatave të paqes. Rusia aktualisht zë rreth një të pestën e Ukrainës./ CNN

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›