E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm kosovar, takim me kreun e OKB-së, Ban Ki-Mun

Kryediplomati i Prishtinës, në maratonë takimesh dhe konsultash me homologë e diplomatë të botës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, të hënën do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kosovës.
Në njoftim theksohet se zoti Hyseni ka bërë kërkesë për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, që pritet të mbahet më 3 gusht. 
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka vazhduar serinë e takimeve me përfaqësues të përhershëm të akredituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Në takimet e shumta që ka zhvilluar, ministri Hyseni ka vazhduar t’u bëjë thirrje shteteve që të njohin shtetin e Kosovës, duke theksuar se, për shtetet të cilat e kanë shtyrë aktin e njohjes në pritje të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tashmë është koha që të lëvizin në drejtim të njohjes formale. Ministri, ndërkaq, ka marrë sigurime nga përfaqësuesit e shteteve që ka takuar se kërkesa për njohje do t’u përcillet menjëherë autoriteteve kompetente të vendeve të tyre dhe se shpejt mund të priten edhe vendimet.
Gjatë ditës, ministri Hyseni po ashtu ka folur përpara një numri të madh gazetarësh në selinë e OKB-së në Nju Jork dhe i është përgjigjur një interesimi shumë të madh të gazetarëve të pranishëm, përfshirë nga media të mëdha botërore. Ky takim është organizuar nga asociacioni i Korrespondentëve të Kombeve të Bashkuara. 
Në kuadër të takimeve dhe bisedave, që për qëllim kanë bashkërendimin e ngushtë të veprimeve me shtete partnere pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka pasur një takim të veçantë me përfaqësuesin e përhershëm të Republikës Federale të Gjermanisë në OKB, dr. Peter Wittig. Në këtë takim të gjatë dhe përmbajtësor, ministri Hyseni dhe ambasadori Wittig kanë biseduar në lidhje me kontekstin e ri që është krijuar pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe në lidhje me detajet e hapave dhe veprimeve të ardhshme që do të ndërmerren, përfshirë në lidhje me projektrezolutën e prezantuar. Në takim, ministri ka vënë theksin te nevoja dhe rëndësia e bashkërendimit të ngushtë të veprimeve të të dyja vendeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›