Gjergji Lako ekspozon në Berat
U çel dje në galerinë e arteve “Edward Lear” të qytetit të Beratit ekspozita vetjake e piktorit pogradecar Gjergji Lako. Në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 20 gusht, artisti ka ekspozuar rreth 70 vepra, ku përmes ngjyrave të penelit u paraqet artdashësve beratas peizazhe e natyra të qeta me motiv kryesor natyrën. "Jam përpjekur të punoj me dashuri për këto piktura, sepse e konsideroj veten një aleat të natyrës", thotë piktori, krijimtaria e të cilit shkon në drejtim të traditës më të mirë të peizazhit, duke ndjekur gjurmët e piktorit të njohur Vangjush Mio. Piktori Gjergji Lako realizon me mjeshtëri veprat e tij, duke përzgjedhur e pikturuar veçanërisht peizazhin e qytetit të Pogradecit, me liqenin aq të njohur e me dimrin e veçantë, pa lënë mënjanë edhe shumë vende të tjera piktoreske. Punimet e kësaj ekspozite, në tërësinë e tyre trajtojnë natyrën me ngjyra të tilla që përcjellin paqen midis njeriut dhe mjedisit. Lako vjen në këtë ekspozitë pas një sërë aktivitetesh që ka zhvilluar, duke nisur nga viti 1973, kur mori pjesë së pari në një aktivitet kombëtar me një krijim të tij. Ka punuar në vite për disa galeri private në Greqi, Itali dhe punimet e tij ndodhen në Greqi, Turqi, Danimarkë, Austri, Egjipt etj. Veprat e tij janë paraqitur në ekspozita personale dhe kolektive brenda e jashtë vendit. Aktiv dhe i përkushtuar në pasionin e tij të pikturës, sidomos në temën e natyrës, ai ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e artit figurativ që organizohen në qytetet e Korçës dhe Pogradecit, ku është nderuar edhe me çmime.
#