E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensione invaliditeti për të shëndetshmit

Mjekët “prodhonin” invalidë me 100 mijë lekë. Ata që ishin të tillë paguanin 30 mijë

Qarku i Fierit, që nga mbrëmja e së enjtes, nuk ka më komision KEMP-i. “Shkrirja” e kësaj strukture shtetërore ka ardhur si pasojë e arrestimit të dy anëtarëve, si dhe shpalljes në kërkim të kryetarit të tij. Skandali ka përfshirë dy institucione, Degën e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, si dhe Drejtorinë e Spitalit Rajonal. Nga Prokuroria e Fierit mësohet se janë shtuar ankesat e qytetarëve ndaj anëtarëve të komisionit tashmë të vënë nën akuzë. Ndërkohë, mësohet se ndaj tre mjekëve, Tushe Qalliu, Leon Shpataraku dhe Stavri Furxhi, ka pasur disa denoncime pranë Urdhrit të Mjekut, por në asnjë rast ato nuk janë marrë seriozisht dhe nuk është bërë njoftimi i organeve të drejtësisë.

Hetimet

Roli i policisë për hetimin që çoi në pranga dy mjekë të komisionit të KEMP-it ka qenë thjesht mbështetës, pasi i gjithë hetimi është kryer nga një grup prokurorësh, pjesëtarë të strukturës Task Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Për të çuar në pranga tre pjesëtarët e komisionit të KEMP-it, grupit të hetimit i janë dashur plot tre muaj punë. Informacioni paraprak ka ardhur në rrugë operative. Një nga pjesëtarët e grupit të hetimit është informuar për abuzimet që kryheshin nga komisioni i KEMP-it, abuzime që ishin bërë rutinë për pjesëtarët e tij. Menjëherë ai ka nisur hetimet dhe brenda pak javësh ka mundur të sigurojë prova të pakundërshtueshme, që më pas kanë çuar në prangosjen e tyre. Një nga personat që ka bërë denoncim për mjekët ka bashkëpunuar me grupin e hetimit dhe ka bërë të mundur sigurimin e provave. Ndërkohë, grupi hetimor ka mundur të sigurojë prova edhe për raste të tjera, duke bindur kështu gjykatën për të lëshuar urdhërarrestet për tre mjekë, njëri prej të cilëve është larguar nga Shqipëria.

Filmimet

Tre mjekët janë filmuar duke marrë ryshfet. Madje, ata janë regjistruar duke ndarë edhe shumat e lekëve që përfitonin nga invalidët, por edhe nga persona që nuk plotësonin kushtet për të qenë të tillë. Burimet zyrtare të Task Forcës së Fierit pohojnë për “Shqip” se janë bllokuar shumë dosje të trajtuara nga mjekët e prangosur. “Po bëhen verifikimet e shumë dosjeve, pasi ka dyshime të qarta se ka pasur aprovime raportesh edhe për persona që nuk ishin invalidë. Vlerësimi i këtyre personave si të tillë ka qenë një mundësi e madhe përfitimi për mjekët e prangosur dhe të shpallur në kërkim. E ndërsa invalidëve realë u bëhej presion për të paguar një sasi të hollash që shkonte deri 30 mijë lekë, personave që nuk ishin invalidë u kërkohej shumë më e madhe. Ajo shkonte deri në 90 mijë apo 100 mijë lekë”, janë shprehur për gazetën “Shqip” burime nga Prokuroria e Fierit.
Nga hetimet e deritanishme është vërtetuar se mjekët nën akuzë kanë lëshuar raporte invaliditeti për tre shtetas që gëzojnë shëndet të plotë. Presioni ndaj personave të interesuar për të përfituar pension invaliditeti niste qysh në fazën e parë të aplikimit dhe shtohej ditën që i interesuari dilte përballë tre anëtarëve të komisionit.

Urdhri i Mjekut

Për abuzimet e mjekëve ishte vënë në dijeni edhe Urdhri i Mjekut pranë Drejtorisë së Qendrës Spitalore në Fier. Mësohet se pranë këtij institucioni, për kirurgun Leon Shpataraku dhe neurologun Stavri Furxhi ka pasur disa denoncime, të cilat kanë ardhur nga pacientë të ndryshëm të trajtuar prej tyre. Por ende nuk dihet përse Urdhri i Mjekut nuk ka denoncuar i pari rastet abuzive të bluzave të bardha.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›