E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm turk: Raundi i dytë i bisedimeve Rusi-Ukrainë u zhvillua në atmosferë konstruktive

Një ditë pas raundit të dytë të bisedimeve mes delegacioneve ruse dhe atyre ukrainese të mbajtura në Stamboll, ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, ka dhënë më tepër detaje mbi atë se çfarë u diskutua në tryezë.

Ndërsa e vlerësoi atmosferën si mjaft konstruktive, Fidan u shpreh se palët u mbështetën në pikat për të cilat kishin rënë dakord gjatë takimit të parë.

Ai tha në X se palët ranë dakord për një shkëmbim humanitar “të zgjeruar”, shkëmbyen memorandume që pasqyrojnë perspektivat e tyre mbi armëpushimin dhe zgjidhjen, dhe ranë dakord të fillojnë punën në nivel teknik mbi këto tekste në ditët në vijim.

Palët vendosën gjithashtu të vazhdojnë përgatitjet për një takim të mundshëm në nivelin e udhëheqësve, shtoi ai.

“Të udhëhequr nga vullneti kolektiv i udhëheqësve tanë, qasja e orientuar drejt rezultateve e shfaqur nga të dyja palët për t’i dhënë fund humbjeve të shkaktuara nga lufta është e lavdërueshme”, tha Fidan.

Raundi i dytë i bisedimeve

Raundi i dytë i negociatave zgjati më shumë se një orë. Rusia u përfaqësua nga një delegacion i udhëhequr nga ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky, ndërsa delegacioni i Ukrainës kryesohej nga Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov.

Të dyja palët ranë dakord të shkëmbenin të gjithë të burgosurit e plagosur rëndë dhe të sëmurë, si dhe të burgosurit e luftës nën moshën 25 vjeç.

Stambolli priti raundin e mëparshëm të bisedimeve më 16 maj, duke rezultuar në shkëmbimin më të madh të të burgosurve midis dy vendeve që nga fillimi i konfliktit në shkurt 2022.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›