E Hënë, 2 Nëntor 2026

OKB: Hetim i pavarur mbi vrasjen e palestinezëve gjatë marrjes së ndihmave në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të pavarur pas raportimeve të diskutueshme se forcat izraelite kanë qëlluar ndaj civilëve palestinezë që po prisnin ndihma pranë një qendre shpërndarjeje në Rafah, Gaza.

“Jam i tmerruar nga raportet për palestinezët e vrarë dhe të plagosur ndërsa kërkonin ndihmë në Gaza. Unë bëj thirrje për një hetim të pavarur dhe që autorët të mbahen përgjegjës”, deklaroi Guterres.

Deklarata e tij u kundërshtua menjëherë nga Ministria e Jashtme izraelite, e cila e cilësoi reagimin e Guterres si “një turp”, duke e kritikuar për mospërmendjen e Hamasit. Gjithashtu ushtria izraelite mohoi që trupat e saj të kishin qëlluar mbi civilët dhe i quajti raportet “të rreme”.

Ndërkohë, edhe shefi për të Drejtat e Njeriut në OKB, Volker Turk, reagoi ashpër, duke deklaruar se mënyra aktuale e ofrimit të ndihmës humanitare në Gaza është “e papranueshme dhe çnjerëzore”.

“Mendoj se kjo tregon një shpërfillje të plotë për civilët. A mund t’i imagjinoni njerëzit që kanë qenë absolutisht të dëshpëruar për ushqim, për ilaçe, për gati tre muaj dhe pastaj duhet të vrapojnë për to ose të përpiqen t’i marrin në rrethanat më të dëshpëruara?” tha ai

Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmës që ishte mbledhur për të marrë ushqime në një qendër ndihmash të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli. Kryqi i Kuq raportoi se në spital u transportuan 179 persona, nga të cilët 21 humbën jetën, ndërsa Agjencia e Mbrojtjes Civile e kontrolluar nga Hamasi e vlerësoi numrin e të vdekurve në 31.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›