E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Kulturës dhe ambasadori turk vizitojnë shtëpinë e Dritëro Agollit

TIRANË-Në vijim të përkujtimit dhe kremtimit të 90 –vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar turk, Jashar Qemal, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti, Ambasadori i Republikës së Turqisë, Hasan Ashan, përkthyesi i mirënjohur nga gjuha turke, Stefan Vucani, si dhe Drejtori i Drejtorisë së Librit dhe Bibliotekave në MTKRS, Ermir Nika, zhvilluan ditën e premte një takim në shtëpinë e shkrimtarit të shquar të letrave shqipe Dritero Agolli. 

Miqësia e lidhur dhe e trashëguar ndër vite midis Jashar Qemalit dhe Dritero Agolli ishin kryefjala e këtij takimi. Përgjatë rikujtimit të ngjarjeve dhe mjaft detajeve mbresëlënëse gjatë vizitës së Jashar Qemalit në Shqipëri, u risoll edhe njëherë nëpërmjet protagonistëve të atyre ditëve, klima e kohës dhe atmosfera që mbizotëronte në ato vite në Shqipëri. 

Gjithashtu gjatë bisedave të shumta u diskutua edhe mbi mjaft emra dhe figura të shquara të letërsisë turke të përkthyera në gjuhën shqipe si dhe anasjelltas. Kjo vizitë në shtëpinë e shkrimtarit të shquar Dritero Agolli, dhe përfaqësuesve të lartë të shtetit turk dhe atij shqiptar, ishte një tregues i drejtpërdrejtë i miqësisë dhe përafrisë shpirtërore dhe kulturore që ekziston ndërmjet dy kombeve dhe kulturave tona. 

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›