Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa letër shefit të NATO-s, Jaap de Hoop Shefer

“Municionet e trashëguara, rrezik eminent për popullin shqiptar” Ministri shqiptar i Mbrojtjes Gazmend Oketa i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ku ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga strukturat e kësaj Aleance për procesin më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes shqiptare atë të demontimit dhe asgjësimit të municioneve të tepërta në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka kërkuar ndihmë urgjente nga drejtuesit e NATO-s, Aleancës Atlantike, dhe pikërisht Sekretarit të Përgjithshëm Jaap de Hoop Shefer, që Aleanca të ndihmojë urgjent Shqipërinë me financime, ekspertë dhe asistencë teknike ushtarake e logjistike për demontimin e armëve dhe municioneve në vend. Oketa ka theksuar se situata tashmë në Shqipëri është krejt alarmante dhe se 100 mijë ton municioneve të trashëguara nga Forcat Armatosura Shqiptare përbëjnë një rrezik eminent për popullin shqiptar. Ministri i ka kërkuar nëpërmjet një letre Shefer që NATO të veprojë sa më shpejtë për të filluar nga puna për eliminimin dhe demontimin e këtyre municioneve tepër të rrezikshme të cilat po rishfaqën tashmë në një gradë më të rrezikshme se shpërthimi i 15 marsit të 2008 në Gërdec të Vorës. Oketa i ka bërë të qartë Sekretarit të NATO-s, se Shqipëria është e gatshme të veprojë në bazë të një plan-veprimi të përgatitur për këtë çështje dhe të prezantuar në Konferencën me Ambasadorët e NATO-s të akredituar në Shqipëri. Sipas tij, përveç fabrikës së demontimit të Poliçanit që do të kthehet më kapacitet të plotë do të hapet edhe fabrika tjetër në Mjekës të Elbasanit. Ndërkohë po sipas ministrit për të bërë demontimet e këtyre municioneve janë planifikuar të hapen edhe 8 poligone të cilat do të jenë të përhapura në të gjithë vendin. Për këtë ministri shqiptar i Mbrojtjes Gazmend Oketa i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Jap de Hop Shefer, ku ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga strukturat e kësaj Aleance për procesin më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes shqiptare atë të demontimit dhe asgjësimit të municioneve të tepërta në Shqipëri. Në letrën që ministri i ka adresuar Sekretarit Shefer thuhet se situata e sasisë së 100 mijë ton municioneve të trashëguara nga Forcat Armatosura Shqiptare përbëjnë një rrezik eminent për popullin shqiptar. “Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë është e vendosur ta zgjidhë këtë problem dhe ka një mbështetje shumë të fortë nga Qeveria Shqiptare për ta realizuar këtë detyrë. Pikërisht për këtë është përgatitur një Plan-Veprimi për demontimin e kësaj sasie municionesh. Ky plan është prezantuar gjithashtu në një Konferencë me Ambasadorët e vendeve të NATO-s të akredituar në Shqipëri, duke kërkuar edhe suportin e tyre në këtë plan. Për më tepër, për ta përshpejtuar këtë proces ne planifikojmë të përdorim më shumë burime të brendshme financiare për të vënë në punë 2 nga fabrikat e demontimit në Mjekës dhe Poliçan, si dhe për të ngritur 8 poligone të demontimit në të gjithë vendin, ku ekipet EOD do të mund të realizojnë shkatërrimin e municioneve te ndryshme. Për ta përmbushur këtë mision, ne na nevojitet mbështetje financiare, asistencë teknike dhe menaxhuese për të qenë të suksesshëm. Bazuar në këtë ne kërkojmë që NATO të shqyrtojë mundësinë për ndihmë dhe mbështetje financiare të Shqipërisë për realizimin e suksesshëm të këtij plani. Duke ju shprehur urimet e mia më të mira dhe duke besuar në një përgjigje pozitive, ju lutem pranoni nderimin dhe konsideratën time më të lartë”, përfundon letra e ministrit Oketa dërguar shefit të Aleancës, Shefer. Demontimi i municioneve Demontimi i municioneve të nxjerra jashtë përdorimit do të jetë tashmë një proces i centralizuar tërësisht në duart e shtetit. Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se kjo është e vetmja mënyrë për të reduktuar në zero rrezikun për popullatën. Për këtë qëllim janë përgatitur për fillimin e punës me kapacitet të plotë, dy uzinat ushtarake në Poliçan dhe Mjekës. Paralelisht, po punohet për përgatitjen për punë edhe të një uzine të tretë në qytetin e Gramshit dhe tetë poligoneve për asgjësimin e municioneve që nuk mund të demontohen në rrugë industriale. Shmangia e një tragjedie të dytë si ajo në Gërdec, ku demontimi i armëve kryhej nga fëmijë, duket se është arsyeja e marrjes së këtij vendimi nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Për të mos e lënë në duart e privatëve këtë proces të rrezikshëm, është menduar kësisoj rikthimi në punë i specialistëve të fushës. Procesi do të kryhet në rrugë industriale, duke përdorur procese teknologjike të sigurta për jetën e punonjësve dhe në përputhje me rikonstruksionin e municioneve, për të siguruar demontim të plotë pa mbetje të rrezikshme. Shtypi ndërkombëtar Gazeta “The Independent” parashikon bum turistësh britanikë drejt Shqipërisë E përditshmja britanike “The Independent”, në një artikull të botuar dje, vlerëson masat e mara në drejtim të shkurtimit të taksës së fluturimit nga Londra drejt aeroportit të Tiranës, çka sipas “The Independent”, mund të kanalizojë më tepër udhëtarët britanikë drejt destinacioneve turistike shqiptare. Sipas gazetës londineze nëntori i këtij viti ka qenë befasues për fluturimet ajrore midis dy vendeve tona, madje brenda harkut kohor të një viti numri i turistëve nga Britania e Madhe mendohet të shënojë një bum të vërtetë. Taksa e fluturimit mes dy vendve është ulur me 29 paund, falë ndërhyrjeve të pushtetarëve britanikë, një fakt i tillë do të nxisë më tej fluturimet nga Anglia drejt Shqipërisë. Gazeta “The Independent”, vlerëson gjithashtu bukuritë natyrore dhe pasurinë historikun kulturor të vendit tonë, arsye më se të mjaftueshme për të thithur turistët britanikë. “Ky është Nëntori më i mirë për Shqipërinë, shtetin më të çuditshëm të Evropës”, shkruan gazeta britanike, duke ju referuar fluksit në rritje të turistëve. Seksioni i udhëtimeve pranë gazetës “The Independent”, vlerësoi javën e kaluar Shqipërinë, si destinacionin turistik të javës. Një vlerësim i tillë nuk duket të jetë i rastësishëm, pasi është paraprirë edhe nga prezenca e operatorëve turistikë shqiptarë dhe Ministrisë tonë të Turizmit, në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë turistike të mbajtur këtë fillim muaji në Londër. ...