Turpi i Tiranës cënoi festën, të dorëhiqet

Atmosferë e zymtë dje në rrugët e Tiranës, pas vendimit të Edvinit për të mos vendosur dekorin festiv me famuj kombëtarë me rastin e Ditës së Flamurit. Fondi prej më shumë se 30 mijë eurosh do shkojë sot për manifestimi politik të Natës së Bardhë, një zdërhallje e kryebashkiakut me miqtë e vet, në përpjekje për të larguar vetminë Këshilltarët e PD-së i kërkojnë dorëheqjen, ndërkohë që njoftojnë përgatitjen e mocionit për shkarkimin e tij.
Festa e Pavarësisë, 96 vjetori i lindjes së shtetit shqiptar, dita e bashkimit të shqiptarëve, është përdhosur dje, si nga Bashkia e Tiranës ashtu edhe nga përfaqësues të tjerë të së majtës. Ky akt, i pa principtë, shkel çdo lloj kodi etike morali dhe dinjiteti. Hedh baltë mbi identitetin e kombit shqiptar dhe themelimin e tij, para afro një shekull më parë. Mohon të gjitha përpjekjet dhe gjakderdhjen e paraardhësve tanë, vetëm e vetëm, që ai të jetë zot, të jetë zot i kryeqendrës së Shqipërisë dhe të trajtojë gjithçka si plaçkë tregu.
Injorimi i Ramës
Dita e 28 nëntorit, u braktis nga Bashkia e Tiranës, bulevardet i ngjasonin një dite të zakonshme, një dite pushimi zyrtar fundjave, jo se ishte festë kombëtare dhe festohej gjithandej, pa harruar edhe në Prishtinë, vetëm në Tiranën e Edvinit jo. Duke filluar që nga mungesa e flamujve e deri te mungesa e organizimit të koncerteve modeste, Bashkia e Tiranës vetëm heshti dje. Ndërsa të paktën, ajo që vlen të shënohet, janë qytetet e tjera në vend, të cilët morën përsipër përcjelljen e festës dhe harmoninë e kësaj ditë të shënuar
për kombin. Nga ana tjetër, Edvini për të mbuluar gjurmët e tij, ia mbathi për në trevën shqiptare të Kosovës, për të treguar se është “patriot” i zellshëm. Por, përveç disa ligjëratave të pakuptimta nuk bëri asnjë deklaratë serioze para mediave të atjeshme, megjithëse Kosova ndodhet në një moment shumë jetik dhe të rëndësishëm për të ardhmen e saj.
Edi Rama, injoroi ditën e themelimit të kombit. Edhe dje, ndoqi linjën e tij përdhosëse politike, duke thurur deklarata shpifëse dhe trillime të gjithanshme, ndaj kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. E gjithë kjo ka një subjekt të vetëm, organizimin e të gjitha fuqive antishqiptare, për të ndaluar sa më parë projekte dhe zhvillime me interes kombëtar. Opozita sotme e ka shpallur që kur ishte në qeveri, se interesi kombëtar nuk është pjesë e politikave të saj, dhe se parimisht ishte cështja e pazareve ajo që ia zinte vendin. Në ditën e 96 vjetorit të Pavarësisë, Edvini bëri deklaratën sulmuese të radhës nëpërmjet grarive të tij. Ai nuk festoi, nuk përcolli urime, nuk bëri homazhe te dëshmorët e kombit, por vazhdoi me tjerrjen e mashtrimeve dhe akuzave, përsëri për projektin gjikant të bashkimit të shqiptarëve, rrugës Durrës-Kukës dhe duke hedhur akuza, përsëri mbi ministrin Basha.
Reagimi i PD-së
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike nëpërmjet zëdhënësit Gerti Bogdani. Bogdani, deklaroi se Rama, nëpërmjet prirjes së tij antishqiptare, sulmon veprat dhe personalitetet, të cilët me përkushtimin dhe vullnetin për të punuar dhe për ti shërbyer vendit, e lënë atë pa gjumë.
“Edi Rama nxori fytyrën e tij të vërtetë, më lakuriq se fotot e tij që kanë marrë dhenë. Ai zgjodhi ditën e Flamurit për të sulmuar me urrejtjen më ekstreme projektin e shekullit të shqiptarëve. Sot ai zgjodhi si urim për festën Kombëtare sulmin ndaj ministrit Basha, personaliteti i të cilit prej kohësh e le pa gjumë zotin Rama. Ministri Basha është i pari zyrtar në historinë e këtij vendi që ndonëse ndaj një akuze tërësisht politike, të formuluar nga Rama në zyrat e partisë së tij, kërkoi heqjen e imunitetit të vet për t’u faktuar shqiptarëve farsën e turpshme dhe primitive të stisur kundra tij”, tha Bogdani.
Zëdhënësi i selisë blu, vuri në dukje se ministri Basha u hetua, nga ata të cilët rruga Durrës – Morinë, aorta e kombit tonë, i lë pa gjumë. “Nga ata të cilët nuk festojnë ditën e flamurit dhe që këtë rrugë me interes jetik për shqiptarët e sabotojnë nën drejtimin e zotit Rama dhe për interesa të mirëfillta joshqiptare. Nga ata të cilët vodhën për 6 vjet taksat e shqiptarëve dhe nuk ndërtuan as një metër rruge. Nga ata të cilët në urrejtje të pa përmbajtur politike në një primitivizëm ekstrem besojnë se mund të shndërrojnë dhe të gjykojnë vendimin kolektiv si vendim dhe përgjegjësi individuale”, nënvizoi Bogdani.
Ai nënvizoi më tej se Rruga Durrës–Morinë është kryevepra shqiptare e këtij shekulli në fushën e ndërtimeve, është vendimi më i drejtë, më i madh, më i rëndësishëm që një qeveri shqiptare ka marrë ndonjëherë për vendin dhe kombin e vet. Sipas tij, Partia Demokratike deklaron se ministri Basha ka zbatuar, zbaton dhe do të zbatojë me rigorozitet të plotë ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor, të cilat përbëjnë edhe thelbin programor të kësaj partie.
Gjithashtu, sipas Bogdanit, PD i kujton zotit Rama se kohërat e Rrapi Ninove dhe e bastardëve të byrosë politike, e mercenarëve që në verbëri totale ekzekutonin pa gjyq qytetarë të pafajshëm, kanë marrë fund në Shqipëri. “Ato jetojnë vetëm në skutat e amoralitetit njerëzor të z. Rama. Shqipëria sot është vend i lirë, vend i shtetit ligjor”, thuhet më tej në deklaratën e zëdhënësit të PD, Gerti Bogdani.
...