Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i PDSH-së nënshkruan marrëveshjen elektorale me LDK-në

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë nënshkroi sot marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit me kryetarin e Lidhjes Demokristiane të Shqipërisë (LDK), zotin Nikollë Lesi.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Firmosëm këtë marrëveshje me Lidhjen Demokristiane të Shqipërisë, marrëveshje e cila garanton bashkërendimin e të gjitha përpjekjeve për të fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe për të qeverisur së bashku në mandatin e ardhshëm. Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme sepse pjesë e spektrit politik të mazhorancës ka qenë fillimisht Partia Demokristiane dhe më pas Lidhja Demokristiane. Me zotin Lesi kemi bërë fushatën e vitit 2005 dhe në fund të mandatit ky i gjen të realizuara më shumë se kushdo tjetër dy kërkesat e tij më madhore, të cilat janë bërë realitet. Sapo jam kthyer nga Thumana ku në 8 vjet ishin investuar 13 milionë lekë, ndërsa në këto 4 vjet 335 milionë lekë. Kjo situatë investimesh është në mbarë vendin. Unë kam kënaqësinë që vazhdojmë së bashku të sigurt drejt mandatit të dytë. Një gjë është e sigurt, që pavarësisht nga dallimet dhe diferencat, Zoti Lesi nuk e ka bashkuar votën me kundërshtarin. Ky është fakt që nuk mund t’i mohohet. Ky ka pasur dhe problemet e veta, kështu që kjo është e tolerueshme. Por, kur ka ardhur puna tek kthjelltësia politike, sepse këtë e tregon vota, votën e ka pasur për koalicionin në të gjitha rastet e duhura. Ndaj dhe unë e kam shumë kënaqësi që e nënshkrova këtë marrëveshje. Jam i sigurt që do të fitojmë dhe do të qeverisim së bashku”.
06/05/2009