Ministri i Punës punëson 7 të papunë
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, "braktisi" dje karrigen dhe zyrën e ministrit për të nisur një ditë "në shërbim të punëkërkuesve të papunë të kryeqytetit". Që në orët e para të mëngjesit ministri Gumi u ul në sportelet e shërbimit, në Zyrën Rajonale të Punësimit Tiranë, dhe bashkë me specialistët priti për rreth tri orë qytetarët që drejtohen në këtë zyrë për të kërkuar dhe marrë shërbime punësimi. Ministri, në rolin e specialistit të zyrës së punës, dëgjoi problematikën e secilit prej klientëve, u informua rreth arsyes dhe kohëzgjatjes së gjendjes së papunësisë, u plotësoi kartelat individuale, kërkoi dhe gjeti në sistemin e të dhënave të zyrës për ofertat më të përshtatshme për secilin prej tyre, në bazë të nivelit të edukimit, profesionit, moshës, dhe ndërmjetësoi për pozicione të ndryshme pune. Ministri, në funksionin e punonjësit të shërbimeve në zyrën e punës, priti dhe u ofroi shërbim shtatë klientëve, kryesisht punëkërkues të papunë. Një pjesë e tyre sqaruan se trokisnin për herë të parë në zyrat publike të punësimit, për të kërkuar shërbimin e tyre, pas një kalvari të gjatë në kërkim të një pune. Zyra Rajonale e Punësimit Tiranë, ku ndodhej sot ministri i Punës, Viktor Gumi, është një strukturë publike që ofron shërbim punësimi për qytetarët e Tiranës. Shërbimet që ofrohen nga ky institucion janë informimi, orientimi, këshillimi, ndërmjetësimi për punësim i punëkërkuesve të papunë, atyre që janë në kërkim të një pune më të mirë, ofrim i formimit profesional, etj. Çdo ditë në sportelet e kësaj zyre u ofrohet shërbim rreth 60 punëkërkuesve, nga të cilët rreth 20 ndërmjetësohen për punë nga specialistët.