"Nxënësit nuk u helmuan nga ushqimi"
Helmimi i nxënësve nga Maqedonia, të cilët prej disa ditësh ndodheshin për vizitë turistike në Shqipëri, nuk ka ardhur si pasojë e ushqimit. Shërbimi i Infektivit në spitalin universitar "Nënë Tereza" ka sqaruar zyrtarisht se nëpërmjet analizave dhe ekzaminimeve paraprake rezulton se pacientët nuk janë helmuar si pasojë e konsumimit të ushqimit në një nga pikat e tregtimit në kryeqytet. Përzierja e disa lloje ushqimesh, pijeve alkoolike, lodhja dhe ulja e imunitetit të organizimit të tyre, gjatë turit 4-ditor ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Ndërkohë që Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon me kryerjen e analizave të detajuara për gjetjen e shkaktarit të helmimit të 50 nxënësve turistë nga Maqedonia. Në mënyrë jo zyrtare, mjekët e Spitalit Ushtarak dhe atij civil kanë diskutuar edhe versionin se shkaktari për uljen e sistemit të tyre imunitar dhe pështjellimit të gjendjes shëndetësore mund t‘u jetë edhe konsumi i hashashit. Disa nga nxënësit e paraqitur në spital nuk e kishin mohuar konsumin e kësaj lënde narkotike. Të rinjtw e helmuar janë nxënës të vitit të tretë të gjimnazit të Komunës së Kërçovës në Maqedoni. Nxënësit janë nisur drejt Maqedonisë. Deri në përfundim të analizave të Institutit të Shëndetit Publik, lokali ku kanë darkuar nxënësit do të mbetet i mbyllur. Dje, Drejtoria e Higjienës ka marrë mostra të ushqimeve pranë ambienteve të kësaj pike. Ndërkohë që të dhënat e para tregojnë se nxënësit nuk janë helmuar as nga kërpudhat dhe as nga ushqimi që kanë konsumuar atë natë. Dy ditë më parë, një grup nxënësish nga Maqedonia erdhën për një vizitë disaditore në vendin tonë. Natën e dy ditëve më parë, 50 prej tyre janë shoqëruar në spital, pasi kanë pasur shqetësime serioze shëndetësore. Gjysmat e tyre janë shoqëruar në Spitalin Ushtarak, ndërsa një pjesë tjetër në spitalin infektiv.