E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Rendit Publik, Luan Rama ka urdhëruar të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit të veprojnë pa asnjë hezitim kundër çdo personi që vepron në kundërshtim me ligjin, duke filluar

Ministri i Rendit Publik, Luan Rama ka urdhëruar të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit të veprojnë pa asnjë hezitim kundër çdo personi që vepron në kundërshtim me ligjin, duke filluar pikësëpari nga vetë efektivat e policisë.
-Asnjë shef nuk do të mund të justifikohet më për vartësit e tij!. Këtë qëndrim zoti Rama ua ka bërë të qartë drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, duke kërkuar nga ata identifikim të gjendjes dhe propozime për masa konkrete.

Lufta e vendosur kundër krimit dhe kriminelëve, kundër trafiqeve dhe trafikantëve dhe cilitdo që me veprimet apo me mosveprimet e veta i ndihmon ata do të vazhdojë të mbetet angazhimi kryesor i strukturave përbërëse të Ministrisë së Rendit Publik. Por që të jemi të suksesshëm në këtë sfidë, ka theksuar ministri i Rendit Publik, kërkohet guxim, vendosmëri, ndershmëri dhe profesionalizëm. Kush nuk e ndjen veten të aftë për të marrë përsipër përgjegjësi, ka shanse të zgjedh një rrugë tjetër, dhe të mos vegjetojë më në radhët e policisë.

Ndërkaq, ministri i Rendit ka kërkuar nga vartësit e tij që të rishikojnë gjithë programet e tyre të punës dhe ti riformatojnë ato në funksion të përmbushjes së të gjitha detyrimeve që burojnë nga programi i qeverisë.

Unë nuk kam asnjë paragjykim për punën tuaj, dhe askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar në vendin e tij të punës. Gjithçka do të gjykohet vetëm mbi bazën e angazhimeve konkrete në zbatim të ligjit, të angazhimit, seriozitetit dhe përkushtimit në detyrë. Nga unë do të keni vetëm inkurajim dhe presion pozitiv për të kryer detyrën, ka nënvizuar para vartësve se nuk do të lejojë askënd të ushtrojë presion për emërime apo karrierë ta pamerituar dhe në kundërshtim me ligjin.

Më tej ministri i Rendit Publik zoti Luan Rama ka vënë theksin tek një bashkëpunim më i mirë midis strukturave të policisë, për të lënë mënjanë thashethemet, trafikun e influencës, klientielizmin etj.

Ndërsa duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore, me OJQ-të dhe qytetarët, ministri Rama ka dhënë porosi për etikë tjetër komunikimi, për korrektesë dhe seriozitet, duke iu drejtuar funksionarëve të lartë të policisë që të mos lejojnë më të shfaqen në detyrë apo në publik punonjës policie që nuk kanë respekt për uniformën, që nuk disponojnë normat më elementare të edukatës dhe që shfaqen si harbutë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›