Njoftim për shtyp i Zyrës së Shtypit të Kryeministrit
Kryeministri Berisha ka marrë një numër të madh shqetësimesh nga familjarë, bashkëshortë të personave, të cilët shpenzojnë të gjitha rrogat dhe të ardhurat e tyre në lojërat e fatit dhe në kazino, duke krijuar kështu drama të vërteta familjare.
Kryeministri Berisha thekson se në përputhje me standardet e vendeve te tjera, ligji shqiptar parashikon që personi ndaj të cilit paraqesin ankesa familjarët për këtë problem nuk duhet të lejohet që të luajë më në lojërat e fatit dhe në kazino. Por nga ana tjetër ligji nuk është i qartë në sanksionet që duhet të merren ndaj biznesmenëve dhe menaxherëve të kësaj kategorie të biznesit , të cilët vazhdojnë të lejojnë që personat ndaj të cilëve janë paraqitur ankesa të luajnë dhe të shpenzojnë paratë e tyre.
Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të financave, zotit Ridvan Bode që të amendohet ligji me shpejtësi dhe duke përcaktuar masat më të rrepta ndaj shkelësve të ligjit, pra ndaj pronarëve dhe menaxherëve të lojërave të fatit dhe kazinove që lejojnë në kundërshtim me ligjin, që personat e paditur në polici apo në institucionet e tjera përkatëse të vazhdojnë të luajnë duke thelluar kështu konfliktin e tyre familjar.10/11/2009