E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i jashtëm hungarez Balazs: Hungaria është avokat i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave

- “Ne, - tha ministri i jashtëm hungarez Balazs, - do t’i transmetojmë mesazhet tona të kësaj mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE, drejt Brukselit, duke qenë kështu një nga miqtë dhe avokatët tuaj më të vendosur në këtë drejtim”.

- “Hungaria ka bindjen e thellë se parlamenti është vendi i vetëm, ku palët duhet të debatojnë në demokraci dhe se opozita shqiptare duhet të jetë pjesëmarrëse në sallën e parlamentit rregullisht dhe jo ta bojkotojë atë, sepse parlamenti është shtylla themelore e demokracisë”.

Kryeministri Berisha priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, zotin Peter Balazs dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë duke shprehur falënderimet e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e gjithanshme, që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në të gjithë rrugën e saj drejt zhvillimit dhe modernizimit të vendit, për përkrahjen e madhe gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, si dhe për rolin e rëndësishëm dhe aktiv që Hungaria ka luajtur veçanërisht në 15 vitet e fundit në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.

Ministri i jashtëm Balazs falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer dhe ekzistojnë të gjitha bazat politike shumë të mira për zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Duke u ndalur në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Kryeministri Berisha u shpreh se ky është dhe prioriteti më madhor për shqiptarët dhe qeverinë shqiptare dhe se vlerësohet si një proces i bazuar në meritën dhe në rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të përmbushur kriteret dhe standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ministri Balazs u shpreh se Hungaria mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të jetë një zë i fuqishëm dhe një avokat i Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm. “Ne, - tha ministri i jashtëm Balazs, - do t’i transmetojmë mesazhet tona të kësaj mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE, drejt Brukselit, duke qenë kështu një nga miqtë dhe avokatët tuaj më të vendosur në këtë drejtim”.

Kryeministri Berisha dhe ministri i jashtëm hungarez u ndalën gjerësisht dhe në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, proces për të cilin kryeministri Berisha u shpreh se duhet të gjykohet mbi performancën e vendit të tij në plotësimin e kritereve teknike të kërkuara për t’u përmbushur dhe qeveria shqiptare është e vendosur plotësisht për të thelluar më tej reformat e rëndësishme që kanë sjellë një transformim rrënjësor të vendit, si dhe për të vazhduar me vendosmëri luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në këtë kontekst ministri i jashtëm Balazs u shpreh se Hungaria mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe se do të jetë përkrah Shqipërisë me të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e saj për përshpejtimin e këtij procesi.

Kryeministri Berisha dhe ministri i jashtëm hungarez u ndalën gjatë takimit edhe në zhvillimet politike më të fundit në vend dhe në situatën e krijuar pas bojkotit të opozitës.

Kryeministri Berisha bëri një përshkrim të situatës politike në vend, duke vënë theksin tek propozimet për kompromis që maxhoranca i ka ofruar opozitës, të cilat përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive nga Prokuroria mbi bazë të provave, shqyrtim bilateral të çdo çështjeje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, si dhe pranimin e të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe KiE, duke respektuar parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Gjithashtu kryeministri Berisha e njohur zotin Balazs edhe me ofertën e fundit të bërë nga maxhoranca për opozitën mbi angazhimin e 100 prokurorëve për hetimin e çdo lloj pretendimi të bazuar në fakte dhe dokumente dhe se qeveria shqiptare ofron të gjithë mbështetjen financiare për punën e këtyre prokurorëve.

Duke iu referuar bojkotit të institucioneve demokratike nga ana e opozitës, ministri i jashtëm hungarez Balazs u shpreh se: “Hungaria ka bindjen e thellë se parlamenti është vendi i vetëm, ku palët duhet të debatojnë në demokraci dhe se opozita shqiptare duhet të jetë pjesëmarrëse në sallën e parlamentit rregullisht dhe jo ta bojkotojë atë dhe të jetë diku gjetkë, sepse parlamenti është shtylla themelore e demokracisë”.

Në përfundim të këtij takimi, ministri jashtëm hungarez u shpreh se një tjetër objektivi i qartë i qeverisë hungareze, përmes hapave konkrete, është thellimi i bashkëpunimit ekonomik në fusha me interes të përbashkët, si në energji, në infrastrukturë, në turizëm, etj.

Kryeministri Berisha në këtë kontekst u shpreh se qeveria shqiptare do të mbështesë investitorët hungarezë, të cilët do të shfrytëzojnë potencialet e mëdha të Shqipërisë në mënyrë që investimet e tyre të jenë një histori suksesi.


26/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›