E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit Agim Qirjaqi.

29 mars 2010

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes Qirjaqi, në të cilin shprehen ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit Agim Qirjaqi.

“Të dashur familjarë të të ndjerit Agim Qirjaqi,

Me hidhërim të madh mësova për ndarjen e parakoshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Në këto çaste fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e të dashurit Agim, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Sot u nda nga ne artisti i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, regjizori dhe pedagogu i përkushtuar, njeriu, i cili ia përkushtoi jetën me altruizëm e profesionalizëm familjes, aktrimit si dhe vlerave më të spikatura qytetare.

Duke qenë i bindur se i ndjeri Agim Qirjaqi, rolet dhe vepra e tij në tërësi do të vazhdojnë të mbeten përgjithmonë të gdhendura në piedestalin e skenës dhe kinematografisë shqiptare si dhe kujtesën e artdashësve, më lejoni edhe një herë të ndaj me ju dhimbjen e parrëfyer njerëzore!” – thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të shtetit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›