E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i jashtëm iranian mbërrin në Siri

Ministri i jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi, sot ka vizituar Sirinë, ku u takua me ministrin e jashtëm sirian, Valid al-Moallem.

Salehi mbërriti në kryeqytetin Damask nga Kajroja, ku ai ishte takuar me të ashtuquajturin “Grupi i kontaktit” për Sirinë, që përbëhet nga Egjipti, Irani, Arabia Saudite dhe Turqia.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe i dërguari ndërkombëtar për Siri, Lakdar Brahimi.

Irani është njëri nga aleatët më të afërt të presidentit sirian, Bashar al-Asad.

Raportohet se Irani ka dërguar këshilltarë ushtarakë në Siri, ndërsa qeveria e presidentit Asad, po përpiqet ta shuajë rezistencën e armatosur, që ka filluar në mars të vitit 2011.

Nga ana tjetër, në qytetin më të madh në Siri, Alepo, kanë vazhduar luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve, ndërsa ka informacione se kryengritësit e kanë marrë kontrollin e një vendkalimi në kufirin me Turqinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›