Ministri spanjoll premton mbështetje për përshpejtimin e regjimit të vizave
Ministri i Jashtëm spanjoll Moratinos premton se me marrjen e presidencës së BE-së nga Spanja, prioritet gjatë mandatit të saj do ti jepet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke lënë të nënkuptohet se vetëm në vitin 2010, Parlamenti Europian mund të marrë në shqyrtim, kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Pas takimit të zhvilluar me homologun e tij Lulzim Basha, ministri spanjoll ka theksuar se në kryesinë e radhës së Unionit do të ndihmojnë për zbatimin sa më parë të marrëveshjes së stabilizim asocimit.
Nuk ka ende një kalendar të vendosur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendimi do të merret nga Këshilli i Europës. Për secilin vend do të ketë vlerësim individual por fryma e përgjithshme është që Ballkani Perëndimor të përfitojë i tëri sa më shpejt nga lëvizja pa viza në Europë. Për çështjen e regjimit të vizave do të ndihmojmë që ky proces të ndodhë sa më parë të jetë e mundur, veçoi ministri spanjoll. Dy homologet kanë nënshkruar tre marrëveshje të rëndësishme si dhe dy protokolle bashkëpunimi, në bazë të të cilave tanimë Spanjë-Shqipëri do të bashkëpunojnë në luftën kundër krimit, fushën e doganave, në çështje të mjedisit dhe bujqësisë. Moratinos theksoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe duke paralajmëruar një rritje të pranisë të biznesit spanjoll në Shqipëri. Energjia dhe turizmi, përfshirë kultivimin dhe përpunimin e ullirit, ku Spanja shquan në këtë drejtim janë disa nga fushat e bashkëpunimit. Nga ana e tij, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Lulzim Basha i përmendi marrëveshjet si dëshmi e bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve. Ndërsa pas takimit të zhvilluar midis kryeministrit Berisha dhe ministrit të Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratino, zotit Moratino iu dorëzua një raport, mbi ecurinë dhe rezultatet e programit Një OKB në Shqipëri. Duke e përmendur si një eksperiencë të re, ministri spanjoll veçoi faktin se janë zgjedhur disa vende pilot, për të ndihmuar reformën e Kombeve të Bashkuara. Ne jemi shumë të kënaqur që Shqipëria është zgjedhur si një nga vendet pilot për të implementuar këtë eksperiencë. Shqipëria, qeveria e saj dhe Kryeministri janë angazhuar dhe kanë financuar për të implementuar këtë program, veçoi ai. Gjithashtu ministri Moratino nënvizoi se gjëja më e rëndësishme për sa i përket sasisë së fondeve është shpirti dhe filozofia e re se si Shqipëria dhe Spanja po punojnë së bashku, duke veçuar këtu fondin e veçantë të koherencës, nëpërmjet të cilit të gjithë vendet punojnë në një bazë të përbashkët.