E Diel, 1 Nëntor 2026

Moratinos- Berisha, vlerësohen ndryshimet e ndodhura në Shqipëri

Ministri i Jashtëm spanjoll Miguel Angle Moratinos ka vlerësuar ndryshimet e ndodhura në Shqipëri për një kohë të shkurtër. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin Berisha, ministri spanjoll u shpreh se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira dhe veçanërisht, në vitet e fundit, këto marrëdhënie dhe bashkëpunimi dypalësh janë ngritur në një nivel më të lartë. Ministri Moratinos theksoi se shqiptarët do të jenë qytetarë të Bashkimit Europian dhe se Spanja mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE. Projektet e përbashkëta të bashkëpunimit po implementohen me sukses në Shqipëri, falë punës me seriozitet të qeverisë shqiptare. Asnjë vend tjetër nuk ka njohur ndryshime kaq impresionuese, në një kohë kaq të shkurtër, sa Shqipëria, u shpreh ministri Moratinos. Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Berisha, ka shprehur mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që Spanja i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në integrimin në NATO dhe në procesin e integrimit në BE, si dhe në përkrahjen për zhvillimin dhe modernizimit të vendit përmes shumë projekteve të frytshme të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Biseda u ndal gjithashtu në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, ku ministri Moratinos u shpreh se ato do të zhvillohen edhe më tej dhe se kompani lider në Spanjë kanë shprehur interes për të investuar në Shqipërisë. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë premtoi mbështetjen e investimeve spanjolle në vendin tonë, duke garantuar se ato do të jenë një histori suksese në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha duke u ndaluar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend, theksoi se qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat dhe po bën çdo përpjekje dhe është e sigurt për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me standardet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›