E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj lë PD, kandidon për partinë e Ngjelës

Në listën e publikuar të kandidatëve për deputet nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ra në sy mungesa e emrit të Preç Zogajt, i cili radhitet si një ndër themeluesit e PD. Zogaj bëri publike arsyet e konfliktit me Berishën, ku ky i fundit i kishte lënë një vend tallës në listat e kandidatëve për Shkodrën, nga fundi i listës. Përplasjet mes Berishës dhe deputetit historik të Lezhës, Preç Zogaj, duket se kanë filluar qëkurse ky i fundit shprehu vullnetin për mbështetje të presidentit Topi. Ndërkaq, Zogaj konfirmoi se nuk kishte pranuar të ishte numri 7 në Shkodër, ndaj për këtë arsye ka preferuar të kandidojë në emër të partisë së Spartak Ngjelës, Ligj dhe Drejtësi, duke kryesuar listën për Lezhën, deputet i së cilës është aktualisht Zogaj. Në listën e Partisë Demokratike nuk janë as deputetët aktualë si Aleksandër Biberaj, Sali Shehu apo Pal Dajçi, të njohur si mbështetës të presidentit Topi. Zogaj akuzoi Berishën për proces jo transparent në hartimin e listave, duke i hartuar ato në mënyrë preferenciale. Sipas tij, përsëritja e gabimeve të Berishës, nuk mund të ndahet nga përsëritja e pasojave të tyre. Duke mos e konsideruar të qenit deputet, as si qëllim në vetvete, as si lëmoshë, e kam refuzuar këtë zgjedhje të kryetarit të PD, Sali Berisha, si një zgjedhje e paarsyeshme, që injoron lidhjet e mia të fushime morale, shpirtërore, njerëzore dhe politike me Lezhën, si dhe kontributin tim si deputet i Partisë Demokratike në Lezhë. Kam pasur dhe kam gjithnjë bindjen se pasi propozohet nga partia dhe votohet nga elektorali, figura e deputetit duhet të formohet e të konsolidohet, pikësëpari mes zgjedhësve, në përpjekjet e përbashkëta për të ndryshuar për mirë jetën e komunitetit sipas programit të votuar. Vendimi im për të refuzuar largimin nga Lezha, i përgjigjet këtij vizioni, unë mbroj figurën e deputetit të popullit, dhe besoj se kjo është më shumë sesa të duash të kapesh me çdo kusht pas karriges së deputetit, u shpreh Zogaj. Ai deklaroi se e ka bilancin, i ka përmbushur shumicën dërrmuese të premtimeve të dhëna, së bashku me drejtues dhe bashkëpunëtorë të pushtetit qendrorë dhe lokal. Pra së bashku me demokratët dhe qytetarët e Lezhës, sipas tij, duke shkuar më lart me projektin e një Lezhe metropolitane që nuk ka të ngjashme sot në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›