Ministri turk Davutogllu vijon vizitën e tij në Kosovë

Ministri i Jashtë i Turqisë, Ahmet Davutogllu, po vijon vizitën e tij në Kosovë. Ditën e djeshme ai zhvilloi takime me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ministri Davutogllu ka shprehur përkrahje të fuqishme të shtetit të tij për Republikën e Kosovës, dhe në veçanti në aspektin e sovranitetit dhe të integritetit territorial.
Sipas tij, Turqia i kushton një rëndësi shumë të madhe integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
“Ne nuk dëshirojmë që në Kosovë të ketë struktura paralele dhe dëshirojmë që Kosova të ushtrojë sovranitetin në gjithë territorin e saj”, ka thënë ai.
Duke shprehur mbështetje për dialogun Prishtinë-Beograd dhe duke uruar që ky dialog të ketë rezultate pozitive, ministri i Jashtëm turk ka thënë se vizioni rajonal i Turqisë është që në Ballkan të krijohet një oaz paqeje dhe zhvillimit ekonomik.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar lart marrëdhëniet politike, diplomatike por edhe ekonomike mes dy vendeve.
“Turqia është një vend që ka një peshë të veçantë ekonomike, rajonale dhe globale dhe Kosova është një treg shumë atraktiv për investimet turke”, ka thënë ministri Hoxhaj.