E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri vjen në punë

Deklarata e parë pas mungesës disajavore e ministrit të Kulturës. Arsyeja: Festivali i këngëve dhe valleve në Gjirokastër

Me deklaratën e djeshme për organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, 24-29 shtator 2009, Ministri Turku dha shenjë se është kthyer në punë.
Fushata zgjedhore e ka mbajtur larg detyrës për javë të tëra kreun e Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. I dalë fitues prej fushatës, deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e ardhshëm të vendit, Adrian Turku ishte më i riu ministër i qeverisë së fundit "Berisha".


Ai doli dje para medias në takim me kryetarët e qarqeve për organizimin e kësaj "veprimtarie shumë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore kombëtare", që do të zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, "Pasuri botërore e njerëzimit", mbrojtur nga UNESCO.


Turku përmendi qëllimet dhe detyrat që u kanë dalë dhe do t'u dalin përpara organizatorëve për "ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve etj., të krijuara prej shekujsh nga populli." Pastaj shprehu besimin e tij të plotë se festivali i këngëve dhe valleve do t'i bëjë mirë jo vetëm Gjirokastrës, por edhe kulturës në përgjithësi të vendit tonë në tërësi.


Për të qenë përpikërisht të programuar në përgatitjet e tyre paraprake dhe gjatë ditëve të festivalit, ministri relatoi edhe detaje teknike. Ai tha se ministria e tij ka vendosur që në këtë festival, grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, nga 50 që ka qenë në festivalet e tjera dhe koha e konkurrimit të jetë 30 minuta, nga 20 që ka qenë më parë. Këto kushte do të jenë rigorozisht të kontrolluara nga juria e FFK-së.


Por, ky sistem i ndërtuar me kaq rregull, kërkesë dhe rigorozitet, nuk është ndërtuar ashtu kot dhe për hiçgjë. Një shpërblim i mirë, "një ardhje në ndihmë" çdo qarku edhe nga ana financiare.


"Qeveria Shqiptare dhe Ministria jonë, tha Turku, ka vendosur që çdo qark të përfitojë një shumë prej 700.000 lekësh, nga 500.000 lekë që ka qenë në FFK e mëparshme. Kjo shumë do të përdoret për përmirësime të kostumeve popullore, instrumenteve dhe paraqitjes sa më dinjitoze të grupit përfaqësues të qarkut në FFK.


Përmendi hapat e punës në dy faza, e që kanë të bëjnë me ngritjen e grupeve të punës me specialistë të trashëgimisë kulturore shpirtërore, bashki më bashki; me kontaktet me grupet popullore, me bartësit dhe interpretuesit e trashëgimisë kulturore shpirtërore, me grupet folklorike të shoqatave dhe NGO-ve të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore, si dhe me individët e interesuar për pjesëmarrje në Festivalin Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009 etj.


Ministri ritheksoi edhe njëherë se "shikimi nga ana e komisioneve përzgjedhëse të koncerteve të çdo qarku, duhet të përfundojë brenda muajit korrik 2009, kjo për mirorganizimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie të rëndësishme kombëtare. Këtë kërkesë e ka realizuar deri tani me shumë sukses vetëm Qarku i Shkodrës."


Ai shtoi se Qarku i Elbasanit do ta organizojë më datë 17 korrik, Qarku Gjirokastër më datë 23 korrik dhe Qarku i Vlorës më 24 korrik, qarqet si Korça, Fieri, Lezha, Kukësi, Dibra Durrësi, Tirana dhe Berati, akoma nuk e kanë caktuar datën e paraqitjes së grupeve të tyre folklorike para komisioneve përzgjedhës, e cila detyrimisht, e përsëris edhe njëherë, duhet të jetë brenda muajit korrik.


Sipas ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, realizimet, problemet dhe detyrat që ka çdo qark, deri në ditët e festivalit, do t'i detajojë zoti Esat Ruka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.


Aty, ministri, në emër të ministrisë që përfaqëson, propozoi që "çdo qark, ditën e shfaqjes së grupit të tij, të organizojë edhe panaire të artizanatit dhe kulinarisë karakteristike të tij."


Duke e konsideruar veprimtarinë më të madhe të trashëgimisë shpirtërore kombëtare, ministri ka tërhequr vëmendjen që, para festës së madhe, si të thuash, darkës së bollshme, të ketë një dessert, çka do të ishte "periudha e përgatitjeve dhe veprimtarive të shumta folklorike, si të këngës, valles e melodisë popullore", të cilat do të ndikonin, sipas zotërisë, prapë në gjallërimin e jetës kulturore artistike të vendit në tërësi dhe, në veçanti, në afrimin e spektatorëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj në veprimtaritë folklorike, gjatë sezonit turistik".


Në këtë mënyrë do të arrihej një organizim përpikërisht perfekt i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në muajin shtator. Vetëm në këtë mënyrë do të ishte një festë kombëtare e trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Prandaj, zoti ministër i folklorit, ju uroj të gjithëve punë të mbarë dhe suksese.


Festivali i Gjirokastrës organizohet në përgjithësi një herë në katër vjet, sipas traditës të Shqipërisë Popullore Socialiste, kurse në veçanti, këto njëzetë vjet me halle për të, si për të gjithë, është organizuar mesatarisht një herë në pesë a në gjashtë vjet.
Por, Shqipëria ka edhe festivale të përvitshme, si festivali i polifonisë, festivali i Odës Dibrane, festivali i gërnetës, festivali i fyejve, festivali i cyles dyjare, festivali i valles dyshe etj.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›