Vendimi, Kushtetuesja redukton rolin e kancelarit
Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e gjyqtarëve për antikushtetueshmërinë e emërimit dhe shkarkimit të kancelarit nga ministri i Drejtësisë
TIRANË- Gjykata Kushtetuese i rikthen pjesërisht pushtetit gjyqësor administrimin e shërbimeve në gjykatë, që prej miratimit të ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor", përmbajtja e të cilit u ankimua nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Sipas vendimit të publikuar dje, Gjykata Kushtetuese ka reduktuar disa kompetenca të kancelarit, që i jepeshin nga ky ligj.
Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të asaj pike të nenit, ku thuhej se kancelari kishte të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të personelit të sekretarisë gjyqësore dhe personelit administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës.
Gjyqtarët pretendonin se me një nen të tillë, sekretarët gjyqësore nuk do t'u bindeshin më gjyqtarëve, duke u justifikuar se janë nomenklaturë e ekzekutivit dhe jo e gjyqësorit.
Por, ndërsa i ka dhënë zgjidhje këtij problemi, Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të marrë një vendim lidhur me kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, për shfuqizimin e nenit 38 të ligjit, ku thuhet se kancelari mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore tek gjyqtari i caktuar.
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar gjithashtu kërkesën e gjyqtarëve lidhur me pretendimin për antikushtetutshmërinë e shprehjes në nenin 37, pika 2 e ligjit, që përcakton se kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë.
Prej muajsh, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka kërkuar shfuqizimin e disa neneve të përcaktuara në ligjin e ndryshuar për pushtetin e gjyqësor. Sipas gjyqtarëve, me këto ndryshime, administrimin e shërbimeve gjyqësore nuk e kishte më nën varësinë e tij sistemi gjyqësor, por ky ishte aneksuar në favor të pushtetit ekzekutiv, me anë të ministrit të Drejtësisë, si nga ana administrative, ashtu edhe financiare.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të japë vetëm një zgjidhje të pjesshme për këto çështje, duke lënë ende në fuqi pika problematike, siç është edhe ajo e emërimit dhe shkarkimit të kancelarit nga ana e ministrit të Drejtësisë.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve denoncoi edhe mospërfshirjen e gjyqtarëve në grupin që hartoi draftin për administratën gjyqësore.
Ata nuk u përfshinë në asnjë prej seancave, që prej përgatitjes, e deri tek debatet apo diskutimet në komisionin e ligjeve në Kuvend, para se drafti të kalonte për miratim në seancën plenare.