E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilla, 5 sekrete për të ngjitur më shpejt shkallët e karrierës



Disa herë, të kuptoni se ku jeni dhe ku doni të arrini në karrierën tuaj mund t’ju duket si një detyrë e frikshme. Ndërsa koha dhe përvoja të ndihmojnë, veprime të tjera të kombinuara së bashku mund të përshpejtojnë procesin. Drejtues të kompanive në fusha të ndryshme ndajnë me ju sugjerimet e tyre se si të kapërcehen shkallët e karrierës në një formë të përshpejtuar.

Grumbulloni njohuri

“Njohuritë janë fuqi”, thotë Linda Matzigkeit, zv.presidente e planifikimit strategjik dhe burimeve njerëzore për Kujdesin e Fëmijëve në Atlanta. “Ju duhet të lexoni rreth industrisë suaj, të dini se çfarë po bëjnë të tjerët në këtë fushë dhe të fitoni përparësi në risitë”.
Anthony Leone, themelues i “Energy Kitchen”, një rrjet restoranti franchise në qendër nëNju Jork, pohon: “Mësoni sa më shumë të keni mundësi në fushën tuaj që keni zgjedhur”.
Bëhuni si një lloj aseti për kompaninë tuaj, aq sa të merrni në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe nga zërat e korridoreve opinionin e sipërmarrësve “ne nuk mund të jetojmë pa këtë person”. Këshillat e tij shkojnë më tej, kur sugjeron t’i kërkoni shefit tuaj se cilat janë aftësitë nga të cilat kompania do të fitonte më shumë. Vazhdoni më tej me mësimin, deri në pikën që ata (sipërmarrësit) t’ju kenë parasysh dhe të dinë numrin tuaj të telefonit.

Duhet të dini se si të bëni pyetje

Të armatosur me një njohje e kuptim të mirë të fushës, punonjësit që fitojnë vëmendjen janë nga ata që dinë se si të bëjnë pyetjet e përshtatshme. “Të bëni pyetje të mira është një art”, thotë Elizabeth Sobol, drejtoresha e “IMG Artists”, në Amerikën e Veriut, që ofron shërbime menaxheriale për performimin e artistëve. “Mua do të më linte më shumë përshtypje nëse më bëni pyetje të rëndësishme, duke folur njëkohësisht për këto çështje me të cilat lidhet pyetja, qoftë edhe duke u përpjekur të më tregoni se sa shumë dini”.
Punonjësit nuk duhet të mendojnë se bërja e pyetjeve është një shenjë paaftësie. “Mos u frikësoni të pranoni se nuk e keni kuptuar diçka”, thotë Robert Stack, drejtues i kompanisë amerikane të komunikimit “Options”. “Nuk ka asgjë të keqe në mosditjen e gjërave. Sigurisht nuk pretendohet të kërkohet apo të bëhen gjithmonë pyetje sa të kalojmë pikërisht në atë që nuk duhet të ndodhë, pra të mbjellim opinione negative për veten”.

Mendoni jashtë vetes

Njerëzit që ecin me shpejtësi në karrierën e tyre në të shumtën e rasteve janë nga ata njerëz që janë shumë të mirë në ekzaminimin e nevojave dhe qëllimeve të kompanisë, jo vetëm në cepin e tyre dhe në fushën e ngushtë ku punojnë. Matzigkeit tregon se për shkak të fushës së saj (kujdesi shëndetësor) është shumë e specializuar. Sipas saj, është e lehtë për t’u thelluar në hapësirën tuaj. “Me qëllim që të përparoni dhe për të identifikuar rrugët e vërteta ju duhet të keni një ndikim të vazhdueshëm në organizatë apo në kompani. Për këtë ju duhet të jeni të lidhur me panoramën e përgjithshme të kompanisë dhe jo vetëm me punën e zyrës tuaj. Vetëm atje mund të zhvilloni aftësitë tuaja, të zgjeroni ekspozimin tuaj dhe të gjeni mënyra që të aplikoni aftësitë tuaja të transferueshme”.
Për menaxherët që duan të shikojnë para, Randy Murphy, president i një rrjeti franchise restorantesh në botë, këshillon të endeni. “Të jeni të pranishëm në dyqanin tuaj dhe të dini gjithmonë se çfarë po ndodh me klientët tuaj”, kërkon veprime të gjithanshme. Ai vlerëson se punonjësit ambiciozë duhet gjithmonë të shohin për zëvendësimin e tyre. “Zhvilloni dhe trajnoni ata që janë nën jush në mënyrë që skuadra si e tërë do të ecë më mirë dhe ju do të keni një zëvendësim më cilësor, që do t’ju bëjë të lirë për promovimin në nivelin tjetër”.

Jepni gjithçka
Pa dyshim, një nga mënyrat më të mira për t’u shfaqur është të kesh rezultate të qëndrueshme. "Në rast se ju ekzekutoni detyrat në mënyrë të përsosur, ju do të keni një reputacion të qëndrueshëm, që do t’ju lejojë të krijoni rrjetet në qarqet e duhura", thotë Brian Curin, president i zinxhirit të këpucëve “Flip Flop Shops”.
"Shkoni përtej përshkrimit të punës", tha Stack. Në rast se ju jeni një person që supozohet se duhet të ndihmojë njerëzit me paaftësi që të gjejnë vende pune, Stark sugjeron që ju të punoni jashtë orarit dhe të bëheni krijues. "Në rast se supozohet se ju duhet të ndihmoni me sigurimin e fondeve, dil nga e përditshmja dhe kërkojini mbështetje dikujt që nuk e njihni".

Lini që pasioni të dalë në pah
Duke i bërë të gjithë këto gjëra, nga të mësuarit sa më shumë që është e mundur rreth një fushe dhe dhënies rregullisht të 100% të vetes mund të kërkojë kohë dhe përpjekje. Disa punonjës do t’i shikojnë këto sfida si pengesa për t’u tejkaluar në mënyrë që të ecet përpara. Të tjerët mund t’i shikojnë me entuziazëm për shkak se ata kanë me të vërtetë një pasion për fushën e tyre. Gjeni kush ecën zakonisht më shpejt?
Sobol thotë se ajo është e impresionuar nga njerëz që "janë të mahnitur nga biznesi ynë dhe po përpiqen në mënyrë të qartë që të mësojnë dhe të kuptojnë më shumë nga ai. Është shumë e lehtë të dallohet se kush po e bën këtë me një interes të vërtetë dhe kush jo, ndaj mos u përpiqni që të shtireni për këtë".
Për ata që u mungon pasioni, ndoshta është koha për të konsideruar për një shkallë të re për t’u ngjitur. Shkallët nuk mund të duken aq të vështira për t’u ngjitur kur udhëtimi për lart është i këndshëm.

Pse nuk po më thërrasin punëdhënësit

Ju shkruani një aplikim shumë të mirë, e përshtasni përmbledhjen tuaj të shkollimit e punës në përputhje me aftësitë e larta që përshkruhen në punën tuaj dhe e kontrolloni aplikimin tuaj përpara se ta dërgoni, në mënyrë që të siguroheni se çdo element që ka kërkuar kompania është i përfshirë në të. Pasi bëni këtë, nuk ju mbetet vetëm të prisni që punëdhënësi t’ju kontaktojë.
Por teksa kalojnë ditët dhe ju nuk merrni asnjë telefon, atëherë fillojnë e shtrohen disa pyetje. A e kanë marrë ata materialin tim? A është zënë vendi i punës? Nuk më pëlqyen ata mua?
Më poshtë, ekspertët shpjegojnë se çfarë mund të fshihet përtej kësaj heshtjeje – dhe çfarë mund të bëni në mënyrë që të nisë biseda.

Realiteti i situatës
Kompanitë në të vërtetë janë të kënaqura që njerëzit duan të punojnë për ata. Për fat të keq, shumë vende thjesht nuk kanë fuqinë e nevojshme të krahut të punës për të ofruar përgjigje individuale.
"Duke pasur parasysh volumin e aplikimeve që merr zyra e burimeve njerëzore, ju nuk duhet të prisni një përgjigje përtej një njoftimi të automatizuar: 'ne e kemi marrë aplikimin tuaj' vetëm në rast se ata janë të interesuar për t’ju intervistuar", thonë ekspertët. "Në rast se nuk ka një përgjigje automatike, ju duhet të dërgoni një shënim përmes email-it dikujt në zyrën e burimeve njerëzore së bashku me përmbledhjen tuaj, që të siguroheni se ata e kanë marrë atë".
Por ka ndonjë gjë që mund të bëhet përveçse lojës "prit dhe shiko"?
"Pasi të dorëzoni aplikimin tuaj për punë, është e këshillueshme që të bëni një telefonatë te kontakti i përshtatshëm brenda një jave apo dhjetë ditësh", thonë ekspertë. "Disa individë mund të mendojnë se të bësh këtë mund të shihet si bezdisëse, por kjo aktualisht i tregon punëdhënësit se ju jeni i ndërgjegjshëm, i organizuar dhe profesional".
Gjatë procesit të ndjekjes së aplikimit, rekomandohet të pyetet nëse aplikimi është marrë dhe në rast se ka nevojë për ndonjë informacion shtesë. (Natyrisht, në rast se ata nuk e kanë marrë aplikimin tuaj, tregohuni i gatshëm që ta nisni sërish). "Është gjithashtu e rëndësishme që të ritheksosh interesin tënd për punën, por mos e teproni".
Ekspertët sugjerojnë nëse mund të diferencoheni, duke gjetur ndonjë kontakt te kompania që mund t’ju veçojë te menaxheri punësues dhe mund të flasë rreth fuqive tuaja. “Kjo mund të jetë përfituese për ju (ju mund të keni një intervistë) dhe për kompaninë (që mund të gjejë një kandidat të përshtatshëm)”.

Loja e pritjes, pjesa e dytë
Punëkërkuesit që janë mjaftueshëm me fat të gjenerojnë interesin e punëdhënësit, mund të mendojnë se ditët e tyre të pritjes kanë marrë fund. Në të vërtetë, gjithsesi një intervistë (madje dhe dy ose tre) thjesht mund të çojnë një erë të re të një heshtjeje të padurueshme.
Në rast se jeni intervistuar nga një kompani dhe nuk keni marrë asnjë reagim për dy javë, shanset janë që të ketë ndodhur një nga ngjarjet e mëposhtme:
- Ata po flasin me disa kandidatë dhe po u merr pak kohë që të skedulojnë të gjitha takimet.
- Ata nuk mund të mbledhin intervistuesit bashkë që të diskutojnë lidhur me kandidatë pas intervistave.
- Ju nuk jeni zgjidhja e tyre e parë, por ka arsye të forta që ata nuk duan ende t’ju thonë "jo".
- Pasi ka folur me disa njerëz të kualifikuar, ka ndryshuar këndvështrimi i menaxherit punësuese mbi vendin e punës dhe ai po e rishikon rolin e punës.
Gjëja më e mirë që mund të bëni është që të krijoni një ide që gjatë intervistës se cili është procesi i kompanisë. Pyetini se kur prisni të dëgjoni nga ata në rast se zgjidheni për raundin tjetër. Fiksojeni datën, shtoni disa ditë dhe pastaj mos kini frikë që të ndiqni çështjen me mirësjellje.
Të dërgosh një notë falënderimi menjëherë pas intervistës mund të ndihmojë për vendosjen e kontakteve të mëtejshme.
Më pas mund t’u dërgoni një e-mail që rithekson interesin tuaj dhe afrojuni çdo informacion shtesë.
Ndërsa qetësia e punëdhënësit është gjithmonë acaruese për një aplikant të dëshpëruar për punë, qëndroni pozitiv duke mbajtur në konsideratë se një ditë qetësia do të prishet nga zilja e ëmbël e një oferte për punë!

Marrë nga Monitor

22 Janar 2011

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›